Të shtunën, Durrësi kthehet në kryeqendrën e boksit.
15 duele plot tension, adrenalinë dhe rivalitet do të ngjiten në ring, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”.
Edicioni i VI i turneut “Titans fights” premton një të shtunë të zjarrtë , ku tifozët e sportit më burrëror do të mund të shijojnë nga afër duelet mes boksierëve dhe kikboksierëve më të mirë të qytetit bregdetar dhe rivalëve të tyre nga vende të ndryshme të Evropës.
Emrat e njohur të Titanëve si Ardit Murja dhe Mexhit Hysenaj synojnë fitoren e radhës ndaj rivalëve të tyre. Të njëjtin objektiv ka dhe Graciano Shoshi, i cili pak javë më parë solli medaljen e bronxtë në Durrës, të marrë në Kampionatin Evropian të boksit U-15.
Deri të shtunën, titanët po i nënshtrohen stërvitjes intensive, që në ring të japin më të mirën e tyre. Por sigurisht atyre u duhet mbështetja e tifozërisë, për të cilën trajneri Enton Kikrri ka një apel të veçantë për një pjesëmarrje sa më të gjerë të shtunën, datë 15 nëntor, duke nisur nga ora 16.00.
M.B.





