Ekspozita “Modelimi naval” risolli edhe njëherë në kujtesën kolektive të durrsakëve anijet gjigande që popullonin kalatat e portit më të madh të vendit. Ato transoqeanikë që përshkruan detrat dhe oqeanet e të gjithë botës e që qenë dëshmi e eksodeve masive të shqiptarëve në Itali tashmë nuk ekzistojnë më përveçse në fotot nostalgjike dhe maketet e Luan dhe Nelton Shabanit. Ato do të përbëjnë bërthamën e muzeut të detarisë, që pritet të ngrihet në Durrës

“Vlora”, “Arbëria” etj. janë emra anijesh që kanë hyrë në kujtesën tonë kolektive në vitin ‘91, kur u regjistruan eksodet masive të shqiptarëve drejt Italisë. Me këto mjete udhëtuan mijëra e mijëra shqiptarë drejt një jete më të mirë, drejt perëndimit, ëndrrës së tyre të vjetër. Po përveç këtyre ditëve jo të zakonshme, këto anije, që përbënin krenarinë e flotës sonë tregtare, kanë shënuar historinë e marinës shqiptare. Veç fotove të tyre, që ruhen prej shumë vitesh, asnjë dëshmi tjetër nuk ka mbërritur në ditët tona për këta transoqeanikë të prodhuar në kantieret e Suedisë apo Italisë. Të shitura për skrap në vitet e para të demokracisë ato vazhdojnë të krijojnë nostalgji tek njerëzit e detit, tek personat të cilët kishin lidhur jetën e tyre me ta. Luan Shabani është njëri prej tyre. Ashtu si shumë shokë të tij që në kohë të lirë nisnin të gdhendnin në dru anijet që popullonin kalatat e portit të Durrësit edhe Shabani e nisi këtë hobi të tij shumë kohë më parë. Por pas viteve ’90 ky hob ju kthye në pasion ose më mirë profesion siç preferon ta quajë ai.

Ndërsa shihte se njëra pas tjetrës këto anije gjigande, që kishin ende një moshë të re dhe mund të vazhdonin të ishin funksionale, përfundonin për skrap, Luani vendosi t’i memorizonte përgjithmonë në makete shumë profesionale, që megjithëse në miniaturë, të sjellin ndërmend ato anije gjigande që çanin oqeanet për të mbërritur në Kinë apo Kubë. Pikërisht, këtë qëllim kishte dhe ekspozita e tij “Modelimi naval”, e hapur në qytetin e Durrësit nën kujdesin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti. “Doja që të gjitha ato anije të flotës në të cilat kisha punuar, por që kishin dalë jashtë shfrytëzimit dhe po shiteshin, të memorizoheshin jo vetëm në fotografi, por edhe në makete për t’u kujtuar nga brezat. Ky është motivi kryesor pse e vazhdoj këtë pasion. Dua të ruaj dhe memorizoj traditat detare të vendit tonë”,- u shpreh Shabani për “Dyrrah”. E për këtë ai nuk është ndalur vetëm tek anijet e flotës tregtare, por edhe tek anijet ushtarake, nëndetëset, dragaminat etj, duke na sjellë një panoramë të larmishme të asaj që përbënte arsenalin e marinës shqiptare në përgjithësi.

Gjatë fjalës përshëndetëse që mbajti në hapje të ekspozitës, kryetari i Këshillit Bashkiak nënvizoi se këto anije të dala nga duart e Luanit dhe djalit të tij, Neltonit, përbëjnë bërthamën e muzeut të detarisë, i cili pritet të hapet në Durrës. E gjithë kjo traditë detare mijëra vjeçare, duke nisur nga kohët antike e duke përfunduar në ditët tona, duhet ruajtur dhe u duhet përcjellë brezave si një dëshmi e rëndësishme e historisë së marinës së vendit tonë. “Ngritja e një muzeu të tillë është e rëndësishme sepse ashtu si në të gjitha fushat e tjera edhe këtu kemi mangësi. Ne themi që kemi tradita detare, por ajo duhet të ruhet, të evidentohet, të shikohet. Është një mangësi që ne duhet ta plotësojmë”,- nënvizoi pionieri i modelimit naval, Luan Shabani. Krahas modelimit të anijeve të flotës shqiptare, Luani së bashku me të birin kanë nxjerrë nga duart e tyre dhe shumë anije të huaja, ku cila prej tyre mbart një histori të lavdishme si p.sh. “Flying Cloud”, anija me vela që përshkoi në një shpejtësi rekord distancën Nju Jork-San Françisko, rekord që e mbajti për më shumë se 100 vjet me rradhë nga 1854-1989. Vizatimet, që paraqesnin formën e këtyre mjeteve lundruese, Luani i ka blerë në tregun e huaj. Në një muze të detarisë ato do të plotësonin kuadrin e marinës detare botërore.

Durrësi, porti më i madh i vendit, por edhe qyteti, i cili që në kohët e lashta ishte kthyer në një nga pikat e rëndësishme ku ndaleshin anijet që përshkonin kryq e tërthor pellgun e Mesdheut, si dhe qyteti që ka pasur një kantier detar në gjendje të prodhonte vetë mjete lundruese dhe të kryente remonte mjaft të specializuara do të ishte zgjedhja optimale për ndërtimin e këtij muzeu, ku maketet e anijeve antike do të bashkëjetonin me fregatat dhe transoqeanikët e shekujve të fundit. Një muze i tillë do të përbënte për turistët e huaj dhe jo vetëm, një element më shumë në trashëgiminë kulturore të pasur të vendit tonë.



 

 

Pasion që trashëgohet

Krahas Luanit, pasionin e tij për të bërë makete anijesh e ka trashëguar dhe i biri, Neltoni, ndërkohë që siç rrëfen pionieri i modelimit naval ai po përpiqet që këtë pasion apo këtë “drogë” t’ua injektojë edhe nipërve. Ai kërkon që kjo traditë të vazhdojë e të pasurohet edhe më shumë në të ardhmen, pasi në një muze të detarisë do të ketë gjithnjë vend për makete të reja mjetesh lundruese. Luani ka nxjerrë nga duart e tij rreth 80 anije, por shumë pak prej tyre ishin ekspozuar në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”. Pjesa tjetër ndodhen nëpër muze, kompani detare apo koleksione private. Ndërsa shumë kush është i prirur drejt përfitimit monetar, Luani thotë se primare në punën e tij është ruajtja e këtyre modeleve dhe ekspozimi i tyre, sepse në të kundërt, megjithëse vendi ynë ka një histori të pasur detare, brezat që vijnë nuk do të kenë asnjë mundësi të njihen me ato që dikur përbënin mburrjen e flotës sonë. Nëse në vende të tjera anijet që kanë lënë shenjë në histori ruhen dhe kthehen në muze, anijet tona kanë përfunduar thuajse të gjitha të shitura për skrap në Turqi.