Mbrëmjen e së hënës rinisi pas një ndërprerje rreth 3 muaj e gjysëm transporti ndërkombëtar detar me pasagjerë. Në Durrës, portin më të madh në vend, autoritetet kanë marrë të gjitha masat për të garantuar respektimin e protokolleve të sigurisë.

Nga mbrëmja e sotme do të lejohen të udhëtojnë drejt portit të Barit pasagjerët që janë nënshtetas evropianë, shqiptarët me pasaporta të vendeve të BE-së, si dhe personeli diplomatik në Shqipëri dhe Kosovë. Njëkohësisht, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Paulin Ndreu, bën të ditur se do të lejohen të udhëtojnë edhe personat që do të kurohen në spitalet e vendeve të BE-së. 

Në këto raste, sipas Ndreut, këta pasagjerë duhet të kenë me vete epikrizat dhe analizat që kanë bërë në spitalet evropiane, dokumentet e familjarëve të tyre që janë rezidentë në BE apo të spitaleve ku do të shkojnë për t’u kuruar. 

Ndërkohë, nga data 1 korrik pritet që të lejohet udhëtimi i të gjithë shtetasve që do të duan të përdorin tragetet për të shkuar në vendet e BE-së, apo do të kthehen në vendin tonë. Drejtori Ndreu shton se gjatë kësaj periudhe do të zbatohet me rigorozitet protokolli i Ministrise së Shëndetësusë, pasi tragetet do të operojnë me jo më shumë se 70 përqind të kapacitetit të udhëtarëve.

Ndreu thekson se zbatimi i protokolleve nis që nga hyrja në portin e Durrësit, në terminalin e pasagjerëve, sportelet e Policisë Kufitare për kontrollin e dokumentave e deri tek imbarkimi në traget. Në të gjitha rastet do të respektohet distancimi fizik me 1.5 metra dhe mjetet mbrojtëse.

“Nuk do të lejohet asnjë qytetar, edhe nëse ka pasaportë të një vendi të BE-së, nëse nuk ka respektuar masat mbrojtëse. Edhe agjencitë detare janë njohur me protokollin që duhet të zbatojnë brenda në traget, për të garantuar shëndetin e pasagjerëve”,– tha Ndreu.

Për zbatimin rigoroz të protokollit të sigurisë në kuadër te masave anti Covid-19, është menduar që check-in i pasagjerëve të fillojë më herët, pasi nevojitet më shumë kohë për përpunimin e pasagjerëve gjatë periudhës së pandemisë.

M.B.