15 janar 2015 –  Emri i Ronaldos nuk mund të fshihet kurrë nga historia e futbollit botëror dhe për momentin është e vështirë të fshihet dhe nga futbolli i luajtur. Fenomeni është kthyer sërish. Futbollisti që bëri të ëndërrojnë për lojën një gjeneratë të tërë në vitet 90-të, ka vendosur të veshë sërish këpucët për të luajtur në kategorinë e dytë të SH.B.A për skuadrën e Fort Laudersdale Strikers.

"Është një kënaqësi që gjendem këtu dhe që jam pjesë e kësaj skuadre. Jam i sigurt se do të bëjmë gjëra të mëdha së bashku. Do të përpiqemi shumë dhe dua t'ju falenderoj për mbështetjen". Këto ishin fjalët me të cilat "Fenomeni" zyrtarizoi rikthimin e tij në futbollin e luajtur. Nuk është ndoshta skuadra më e mirë e mundshme, por në tokën e premtuar të ëndrrave, për disa kohë tifozët e këtij ekipi modest mund të krenohen se kanë në ekip një prej sulmuesve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Sigurisht Ronaldo nuk mund të jetë më ai i dikurshmi sa i përket shpejtësisë apo fizikut por klasi dhe prekjet magjike janë një element që nuk humbasin kurrë dhe lojtari që fitoi 2 herë Topin e Artë, 2 tituj Botëror dhe është golashënuesi i dytë më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e Botërorëve është sërish gati për të folur me gjuhën e tij, atë të golit, e për të përshkruar dhe një herë tunelin e heshtur që të con drejt zhurmës më të bukur në botë, atë të një fushe futbolli. Fenomeni është rikthyer.