Demi Moore është rikthyer triumfuese në Golden Globes duke fituar çmimin e aktores më të mirë për  një film horror që i ka dhënë hov karrierës së saj. 62-vjeçarja tha se ishte “në një pikë të ulët” të karrierës përpara se të përzgjidhej për “The Substance”.

Në vitet 1990-2000 ajo nominohej vazhdimisht, por ky vit shënon herën e parë që ajo ka fituar një çmim. Në filmin “The Substance”, ajo luan një  grua që shkëmben trupin e saj për një version më të  ri e më të bukur të vetes.

Moore tha se ishte  “e shokuar që  fitoi në një katetgori me konkurrencë kaq të lartë, mes yjeve si Mikey Madison, Cynthia Erivo dhe Karla Sofía Gascón.

“Kam shumë kohë që e bëj këtë, mbi 45 vjet dhe kjo është hera e parë që fitoj diçka si aktore. 30 vjet më parë, një producent më tha se isha një aktore kokoshkash dhe asokohe kuptoja që çmimet ishin diçka që mua s’më lejohej t’i kisha, që unë mund të bëja filma që ishin të suksesshëm, sillnin shumë para, por s’mund të vlerësohesha.

E bleva dhe e besova e kjo më gërreu për ca kohë, deri në pikën kur disa vite më parë mendoja që ndoshta kaq ishte, ndoshta isha e plotësuar. Kisha bërë çfarë duhej dhe teksa isha në një pikë të ulët, në tavolinën time më erdhi një skenar magjik, i guximshëm, kurajoz, jashtë kornizave, plotësisht i çmendur i titulluar ‘The Substance’ dhe universi më tha s’ke mbaruar ende”.

Golden Globes është ceremonia e parë e rëndësishme  e çmimeve për këtë sezon dhe konsiderohet një tregues i fortë për filmat që do të fitojnë Oscar.

Por ndryshe nga Oscar, kategoritë ndahen në dy pjesë ku një çmim shkon për dramat dhe një për komeditë/’musical’. Moore fitoi si aktorja më e mirë në një komedi/’musical’.

Aktorja braziliane Fernanda Torres fitoi si aktorja më e mirë dramatike për filmin “I’m Still  Here” duke lënë pas yje si Anxhelina Zholi dhe Nicole Kidman.