7 mars 2015 – Megjithëse kemi hyrë në muajin mars dhe mund të themi që ka filluar stina e pranverës, kjo e fundit nuk po duket gjëkundi në juglindjen e vendit tonë, e cila sërish është zbardhur nga bora.
Temperaturat e ulëta dhe një dëborë e pazakontë për stinën, është regjistruar thuajse në të gjithë qarkun e Korçës, ku trashësia e borës në zona të veçanta ka kaluar mbi 30 cm. Reshjet kanë nisur që prej mesditës së të premtes dhe kanë zgjatur për thuajse gjithë natën, duke sjellë edhe njëherë një ditë dimri.
Në të gjithë qarkun, bora ka sjellë probleme në disa prej akseve rrugore, ku më problematikë kanë qenë akset Korçë –Ersekë, Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë dhe në komunat e Vithkuqit, Lekasit dhe disa prej komunave të Ersekës. ku nuk është e mundur lëvizja pa zinxhirë.
Megjithatë, si rrjedhojë e temperaturave normale bora ka shkrirë në pjesën më të madhe.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





