TIRANE- Rikthehet në këtë fundviti ekspozita e përvitshme “Onufri", nën titullin “Ndoshta të ëndërrosh”. 

E konceptuar nga kuratori italian Daniele Capra, ekspozita-konkurs në Galerinë Kombëtare të Arteve, mban këtë titull nisur nga monologu i famshëm i Hamletit të Shekspirit. Capra zgjedh këtë titull sepse, sipas tij, ka një ngjashmëri të madhe mes Hamletit të turbulluar e të gjendur në situatë të vështirë personale, por që pavarësisht kësaj mundet të filozofojë mbi botën dhe enigmat e saj. 

Sipas kuratorit, artistët shqiptarë sfidojnë realitetin aspak të lehtë për ta dhe arrijnë të propozojnë zgjidhje personale. Por nëse Hamleti zgjodhi rrugën e hakmarrjes për zgjidhjen e problemeve të tij, artistët në këtë ekspozitë shtrojnë dhe kërkojnë zgjidhje të tjera. 

Artistët pjesëmarrës në këtë edicion të 19-të janë: Luçjan Bedeni, Yllka Gjollesha, Genti Korini, Mariana Kostandini, Remijon Pronja, Alketa Ramaj, Violana Murataj dhe Arjan Shehaj. Ekspozita do të çelet në datën 28 dhjetor e do të qëndrojë në GKA deri në 3 janar dhe deri atëherë pritet të shpallet edhe fituesi i këtij edicioni. 

Daniele Capra (i lindur në vitin 1976) është kurator i lirë dhe gazetar arti. Ai ka kuruar mbi 50 ekspozita në Itali, Francë, Republikën Çeke, Gjermani, Izrael, duke bashkëpunuar me institucione si Dena Foundation/Paris, Muzeu i Zoologjisë dhe Anatomisë së Krahasuar në Bolonja, Dolomiti Contemporanee, Fondazione Galleria Civica në Trento, City of Milan/ Itali, Muzeu Dada në Haifa/Izrael, Festivali i Artit Bashkëkohor, Tina-B në Pragë/ Republika Çeke. 

Ka kuruar aktivitetin e përvitshëm ‘Çmimi i Artistit të Ri Evropian, Trieste Contemporanea’ në vitet 2008 dhe 2009 si edhe ka qenë anëtar i jurisë së Çmimit Onufri në Tiranë në vitin 2008.