10 janar 2014 – Problemet e lëna pezull nga kompania çeke CEZ, që privatizoi sistemin e shpërndarjes së energjisë kanë rezultuar jo të pakta, e një prej tyre është dhe rritja e humbjeve të energjisë në rrjet. Pikërisht për të zbutur këtë tregues, ERE ka miratuar së fundmi kërkesën e CEZ Shpërndarje, për rikthimin e faturimit aforfe. Kjo skemë do të aplikohet tek konsumatorët familjarë që nuk kanë sahat energjie, si dhe për ata që e posedojnë një të tillë, por e kanë të dëmtuar dhe jashtë kushteve teknike. Për këto të fundit, skema e aforfesë do të aplikohet vetëm 2 muaj.   

Kërkesa nga CEZ   

Vendimi për rikthimin e faturimit aforfe u mor në ditët e fundit të dhjetorit të shkuar, ndërkohë që propozimi nga CEZ në ERE mësohet të jetë bërë në muajt e parë të vitit 2013. CEZ ka sqaruar asokohe pranë ERE se mosfaturimi i kontratave prek direkt humbjet dhe në kushtet e vështirësive financiare të kompanisë për të bërë zëvendësimin dhe kompletimin e duhur me matje, është gjetur si zgjidhje e kësaj problematike, formalizimi i formës së faturimit me mesatare. ERE i ka ndarë kategoritë e konsumatorëve që nuk paguajnë energjinë elektrike në dy grupe; ata që s’kanë sahat dhe ata që e kanë të dëmtuar dhe jashtë kushteve teknike atë. Vetë CEZ kishte kërkuar që në këtë mënyrë faturimi të merren parasysh të gjithë ata që e kanë matësin me problem, që jetojnë për një periudhë jashtë vendit, për ata që kanë cënuar vulën e matësit, në raste djegie apo prishje të xhamit të aparatit matës dhe është e pamundur të lexohet matësi, si dhe kur kemi ndërhyrje nga konsumatorët me lidhje abuzive pa qenë të regjistruara në sistem.    

Vendimi    

“Në mbështetje të neneve 9, dhe 52, te Ligjit Nr. 9072, date 22.05.2003 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” të ndryshuar, Bordi i Komisionerëve të ERE-s, në mbledhjen e tij të  Dates 24.12.2013, pasi shqyrtoi relacionin e përgatitur nga Drejtoritë Teknike të ERE-s, Vendosi: Miratimin e aplikimit të faturimit aforfe për klientët familjare që nuk janë të pajisur me  mates të energjisë elektrike sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi. Për konsumatorët me matësa të dëmtuar dhe jashtë kushtit teknik faturimi aforfe aplikohet për një periudhë jo më shumë se 2 muaj. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e miratuar pak ditë më parë nga ERE.  

Pagesa sipas zonave  

Sipas vendimit më të ri të ERE, faturimi aforfe për një familje në Tiranë brenda qytetit, do t’i llogaritet për 600 kilovat orë në dimër dhe 400 kilovat në verë. Ndërsa për të njëjtën zonë, por për stinën e verës, një familje pa sahat ose me sahat të dëmtuar do të faturohet për 400 kilovat orë në qytet dhe 300 kilovat orë në fshat. Kështu do të veprohet në të gjitha qarqet e vendit, por jo të gjithë do të kenë të njëjtin numër kilovat orësh. Qyteti i Durrësit do të faturohet për 500 kilovat orë në dimër, ndërsa fshatrat e tij për 400 kilovat orë. Ndërsa në verë, qyteti do të faturohet për 400 kilovat orë, ndërsa fshatrat për 300 kilovat orë. Fieri është një tjetër qytet i cili në dimër do të faturohet për 500 kilovat orë, ndërsa fshatrat për 350 kilovat orë. Ndërsa në verë, faturimi do të jetë për 400 kilovat orë për qytetin dhe 350 për fshatin. ERE ka vendosur që faturimi amorfe të bëhet thuajse i njëjtë për të gjitha zonat e vendit, sipas ndarjes qytet-fshat. Një faturë aforfe me 600 kilovat llogaritet të shkojë afro 7500 lekë të rinj, (me TVSH) megjithatë për shumë familje kjo mund të jetë e vlefshme pasi do të mund të shpenzojnë shumë herë më shumë se kjo faturë.     

http://www.sot.com.al/ekonomia/rikthehet-faturimi-aforfe-p%C3%ABr-familjet-pa-sahat-energjie-ja-%C3%A7mimet-e-reja-sipas-qarqeve-p%C3%ABr