Pas përfundimit të moratoriumit në gusht të vitit 2025, në Shqipëri do të lejohet gjuetia. Ministria e Turizmit dhe mjedisit ka përgatitur një projektligj për të rregulluar këtë aktivitet dhe për ta lejuar atë vetëm në zona të caktuara.
“Gjuetia në Republikën e Shqipërisë do të bëhet në zona të gjuetisë dhe nuk do të lejohet në asnjë zonë tjetër, përveç atyre zonave të përcaktuara me VKM. Nuk do të lejohet gjuetia në zonat e mbrojtura, zona që janë pranë qendrave të banimit. Por do të jenë zona të dedikuara sipas kritereve të caktuara. Është një listë me kafshët në rrezik që mirëmbahet dhe përditësohet. Për këto specie që janë në listën e kuqe nuk do të lejohet gjuetia. Kemi të përcaktuar edhe mbrojtjen e shqiponjës, është e ndaluar që të gjuhet”, – thotë Sofjan Jaupaj, zv.ministër i Turizmit dhe Mjedisit.
Gjuetarë do të jenë si fillim vetëm shtetasit shqiptarë, ata që kanë mbushur moshën 25 vjeç, që kanë armë me leje dhe që janë të pajisur me leje gjuetie.
“Nuk lejojmë gjuetinë për të huajt kjo edhe sepse problematikat e hasura para moratorioumit lidheshin me shtetas të huaj që vinin në Shqipëri me armë të gabuara dhe kryenin gjueti të paligjshme, duke sjellë rrëzim të biodiversitetit dhe faunës së egër. Duke qenë se ka kaluar 10 vite, ne gjykojmë që kjo do të ndodhë hap pas hapi. Do ta nisim me shtetasit shqiptarë që kanë armë me leje, që nuk janë të dënuar dhe plotësojnë disa kritere që do t’i përcaktojmë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme”, -shtoi zv.ministri.
Në rastet kur në zona të ndaluara gjuhen kafshë që nuk janë pjesë e listës, apo kur mungon leja e gjuetisë ,gjobat janë të majme dhe variojnë nga 500 mijë lekë në 1 milion e 300 mijë lekë.