Bashkia e Tiranës ka rikthyer një nga nismat më interesante që është zbatuar ndonjëherë në kryeqytet, atë të kafes me gjyshërit dhe gjyshet pensionistë, të cilët në disa lokale mund ta pijnë kafen me 20 lekë.
Nismës i janë bashkuar një sërë lokalesh në kryeqytet dhe është promovuar këto ditë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ka pirë një kafe me pensionistë në një nga kafenetë që do të ofrojnë kafen 20 lekë për gjyshet dhe gjyshërit.
“Jam shumë entuziast që po e filloj mëngjesin me Selimin dhe kolegët e tjerë, për këtë nismë të Bashkisë së Tiranës. Është një nismë e cila në fakt është filluar kur Edi Rama ka qenë kryetar bashkie, por u la në harresë 4 vjet. Sot e rikthejmë prapë dhe nisma quhet “Kafe me gjyshin, ose me gjyshen”, dhe është një rrjet kafenesh në të gjithë Tiranën që nga ora 7 deri në orën 9 të mëngjesit, të cilat do ta shërbejnë kafenë me 20 lekë, për të ndihmuar të gjithë ata që janë pensionistë”, tha Veliaj.
Ai bëri të ditur se nga kjo nismë do të përfitojnë të gjithë pensionistët, ndërsa theksoi se kësaj nisme i janë bashkuar fillimisht një rrjet prej 100 lokalesh në gjithë kryeqytetin.
“Mjafton që dikush të tregojë librezën e pensionit dhe i gjithë rrjeti i kafeve ku është vendosur tabela “Kafe me gjyshin” do të jetë një vend ku kafeja do të kushtojë 20 lekë. Aty mund të konsumohet shtypi i ditës edhe sigurisht bisedat e para të ditës me secilin. Ne do të kemi një rrjet prej 100 kafenesh në të gjithë Tiranën që do të jenë pjesë e kësaj nisme”, bëri të ditur kryebashkiaku.