Euro është këmbyer në vend me 133.76 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke u rikthyer në nivelin e këmbimit të javës së kaluar. Monedha e përbashkët është zhvlerësuar në tregjet ndërkombëtarë ndikuar dhe prej zhvillimeve politike në Gjermani, ku kancelarja Merkel e fitoi shumicë më ngushtë se në mandatin e kaluar.

Megjithatë, edhe pse monedha e përbashkët është zhvlerësuar në tregjet ndërkombëtare, në tregun vendas rënia në ditën e hënë ka qenë thuajse e papërfillshme.

Euro ka filluar të forcohet në tregun vendas, por pa e kaluar pragun prej 134 lekësh, ku për herë të fundit e kapi në fillim të qershorit. Më pas euro vijoi zhvlerësimin në vend, ku sipas aktorëve të tregut u ndikua kryesisht nga shpenzimet e zgjedhjeve, që këtë here u kryen në valutë dhe më pas nga fluksi i turistëve dhe i emigrantëve, raporton “Monitor”.

Duket se monedha e përbashkët ka nisur të forcohet në tregun vendas, ku që prej fillimit të shtatorit këmbehet mbi nivelin e 133 lekëve.

Për sa i përket monedhës së gjelbër amerikane, është këmbyer në tregun vendas 112.5 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Dollari amerikan ka pasur një periudhë të dobët në tregjet ndërkombëtare, gjë që është reflektuar edhe në tregun vendas. Nga fillimi i vitit deri në ditët aktuale, dollari është zhvlerësuar me më shumë se 17 lekë në vend.