Nuk ka më vonesa të subjekteve tregtare si rezultat i i prishjes së skanerit të rrezeve X.

Paraditen e sotme ka vijuar normalisht procesi i skanimit të mallrave në portin e Durrësit pas ndalesës së punës mbrëmjen e shkuar.

DurrësLajm ka qënë sot paradite në terminalin e mallrave ku është vërejtur se subjektet tregtare nuk kanë patur vonesa në procesin e skanimit në port.

Në një njoftim për mediat, dogana e Durrësit ka bërë me dije se procesi i skanimit të mjeteve që hyjnë e dalin nga porti i Durrësit vijon normalisht.

"Si pasojë e një defekti teknik të akseleratorit të rrezeve "X", rreth orës 18:15 u ndërpre procesi i skanimit deri në orën 20 e 30 minuta, kur kompania koncensionare e këtij shërbimi solli në port një tjetër skaner portativ, i njëllojtë dhe i të njëjtave parametra si skaneri i mëparshëm.  Drejtoria e Përgjithshme e Doganave informon të gjithë operatorët ekonomikë që po kryejnë veprime në Degën Doganore Durrës se prej orës 20:30 po vijon normalisht procesi i skanimit në këtë Doganë. Menjëherë koncesionari "Rapiscan" mori masat e nevojshme dhe aktualisht procesi i skanimit po vijon normalisht.  Administrata Doganore kërkon mirëkuptimin e të gjithë operatorëve ekonomik për vonesën e shkaktuar" thuhet në njoftimin për shtyp të doganës së Durrësit.