Historia përsëritet! Dhjetëra qytetarë helmohen në Bulqizë, ku paraprakisht shkaku dyshohet të jetë sërish nga uji i pijshëm i zonës, të diagnostikuar nga mjekët si gastroenterit akut.
Mbi 50 persona, fëmijë dhe të rritur, janë paraqitur në spitalin e qytetit me të njëjtat simptoma prej helmimit, dhimbje barku, të vjella apo dhimbje koke.
Top Channel mëson se ka pasur përpjekje për të fshehur këtë ngjarje ku rrezikohet jeta e banorëve nga cilësia e ujit të pijshëm në Bulqizë.
Megjithatë pritet të konfirmohet arsyeja e helmimit përmes analizave përfundimtare.
Në Bulqizë nuk është hera e parë që banorët i drejtohen spitalit për ndihmë mjekësore me shenja helmimi, gati një vit më parë pati një helmim masiv ku më shumë se 60 familjarë u paraqitën në qendrën shëndetësore të Gjoricës.
Edhe në janar të 2021, u helmuan nga uji i pijshëm 30 persona të cilët u kuruan në qendrën e Shupenzës.