Këngëtarja e njohur, Morena Reka, e larguar, kur ishte vetëm 21 vjeçe, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të punuar me Agim Krajkën, është kthyer në Shqipari pas 31 vitesh.
Në një rrëfim për jetën në podcastin “Zë me Mirën”, këngëtarja flet për jetën e saj artistike dhe atë private. Edhe pse larg intervistave dhe skenës shqiptare, Morena Reka për rreth 20 vite ka kënduar në Amerikë. Ajo u njoh me bashkëshortin Benin dhe së bashku janë prindër të 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe 1 djali.
Përkushtimi ndaj familjes është një nga arsyet pse ajo ka qëndruar larg mediave dhe skenës shqiptare, “Të rrisësh 4 fëmijë nuk është e thjeshtë. Fëmijët janë çdo gjë për mua”. Tashmë prej 10 vitesh, ajo i është përkushtuar restorantit të saj dhe tejet prekës ishte momenti kur këngëtarja rrëfeu se tashmë emocionet e skenës i merr në një formë tjetër.
“Restorantin e kemi përballë një spitali ku njerëzit bëjnë kimioterapi. Ata vijnë në restorant dhe thonë, ‘mama, a e kam supën gati’ dhe kjo më ka dhënë një kënaqësi tjetër. Aty po kuptoj ca është jeta. Jam shumë e ndjeshme. Të jep një kuptim për jetën”.
E pyetur për këngën e saj të preferuar, ajo tha se është “Qeshu rini”, ndërkohë që shumë të pëlqyera për publikun kanë qenë edhe këngët, “Kur vallëzojmë tok”, “Puthja e Parë”, “Pluralizmi”, etj.. Miqësi të ngushtë ajo ka me Merita Halilin, ndërkohë që kujtoi edhe lidhjen që ka patur me të ndjerën Anita Bitri.
Morena Reka është 53 vjeçe dhe bije në sy që është ende shumë në formë. E pyetur në lidhje me këtë, këngëtarja tha se është shumë e kujdesshme me ushqimet që konsumon dhe zbuloi se peshon vetëm 48 kg.
Morena Reka lindur më 20 nëntor në vitin 1970 në Durrës, njihet gjërësisht nga publiku shqiptar për pjesëmarrjen e saj në disa festivale dhe emisione televizive të fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90.