Rikthehet problemi i hedhjes së mbetjeve urbane në zonën e banuar të Manzës.
Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, banorë të saj, kanë ngritur të shqetësuar pranë redaksisë së “DurrësLajm”, problemin e rigrumbullimit të mbetjeve gjatë natës në mënyrë të fshehtë.
Sipas denoncimit të tyre, kjo sasi plehrash është hedhur mbi sasinë e mbetjeve të zonës prej 30 tonë në ditë, theksojnë banorët e Manzës.
Ata kanë filmuar me kamera mjetet duke kryer këtë operacion ndotës dhe sipas tyre, në këtë zonë janë hedhur gjatë natës një sasi e madhe mbetjesh urbane.
Banorët dyshojnë se mbetjet janë nga hoteleritë dhe burgjet, ndërsa mëngjesin e sotëm ata po përballen me erën tejet të rëndë nga mbetjet e dekompozuara.
“Situata pritet të rëndohet përgjatë ditës me arritjen e kulmit të temperaturave në drekë, çka rrezikon në përhapjen e infeksioneve të ndryshme”, theksojnë banorët për “DurrësLajm”.
Pas shpalljes së emergjencës mjedisore në Durrës në muajin qershor, Bashkia duket se gjeti një zgjidhje provizore për depozitimin e mbetjeve, ku thuhet se është lidhur një kontratë 6-mujore, me koncesionarin e Sharrës.
Pas mbylljes së vendgrumbullimit të plehrave në Porto-Romano për shndërrimin e tij në një Eko-park, Bashkia e Durrësit nisi t’i hidhte mbetjet urbane në një zonë pranë Manzës. I menjëhershëm ishte reagimi i banorëve, të cilët u ngritën në protesta duke kundërshtuar që zona e tyre të kthehej në një landfill. Protestat i ndalën rrugën hedhjes së plehrave në Manzë dhe mbeturinat urbane mbushën rrugët për disa ditë në Durrës.





