Banorët që preken nga projekti TID Durrës i rikthehen protestave para bashkisë. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë në mbështetje të banorëve që preken nga projekti TID kishin ardhur edhe një përfaqësi nga banorët e Rrjollit, të cilët prej disa javësh po protestojnë për të mbrojtur pronën e tyre.

Pak para nisjes së mbledhjes së radhës të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të familjeve që preken nga ky projekt zhvilluan paraditen e kësaj të enjteje një protestë para institucionit të qeverisjes vendore.

Përfaqësuesja e banorëve, Entela Koja, në një deklaratë për mediat tha se disa banorë që preken nga projekti TID Durrës kanë bërë një kërkesë për të qenë të pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Koja përsëriti kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili sipas saj po rrëzohet, pasi në minutat e fundit ndodh që tërhiqet ndonjë prej këshilltarëve firmëtarë.

Para nisjes së mbledhjes së KB Durrës, disa nga përfaqësuesit e banorëve kërkuan të futeshin në bashki, por u penguan nga policia bashkiake.

Ndër kërkesat kryesore të protestuesve ishin si më poshtë:

Pse nuk po ngrihet një komision hetimor?

Pse procesi vijon pa transparencë dhe në mënyrë individuale?

Si po trajtohen gabimet dhe parregullsitë në projekt?

Përse nuk po pezullohen vendimet e IMT?

Kjo ishte protesta e radhës e më shumë se 74 familjeve që preken nga projekti TID Durrës, i cili synon rijetëzimin e qendrës historike të qytetit. Rreth 200 pasuri të paluajtshme preken nga projekti, nga aplikimi i të cilit disa do të shemben, ndërsa të tjera rikonstruktohen me fondet e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Ndiqni në videon e mëposhtme prononcimet e banorëve.