Sigurimi i detyrueshëm i njësive rezidenciale (shtëpi) pritet që të kthehet edhe një herë për diskutim në tryezat e qeverisë duke shkuar ndoshta drejt miratimit edhe pse ka vite që mbetet pezull.

Të paktën këtë lë të kuptojë Banka Botërore në një dokument të sajin ku qeveria shqiptare ka kërkuar mbështetjen me 120 milionë dollarë për rritjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e gjelbër.

Mes shumë aspekteve që lidhen me qëndrueshmërinë ku buxheti të mos gjendet në shok nga të papriturat që viteve të fundit nuk kanë munguar si tërmeti, pandemia, kriza, theksi vihet tek sigurimi i xhepave të veçantë, që përballojnë financiarisht këto nevoja.

Pra parashikimi i fondeve. Në këtë kontekst Banka argumenton disa nga aspektet që shërbejnë si shkaktarë apo nxitës të këtij projekti të madh ku sigurimi i detyrueshëm i shtëpive nga tërmeti dhe partneritetet publike private janë në vëmendje.

“Parashihet miratimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të pronave rezidenciale ndaj tërmeteve. Marrja parasysh e ndryshimeve klimatike në procesin e përzgjedhjes së menaxhimit të investimet publike siguron që projektimet e projekteve të jenë më të qëndrueshme kundër katastrofave natyrore dhe ndryshimeve klimatike.

Parashikohet miratimi i ndryshimeve në Ligjin PPP, duke harmonizuar PPP-në dhe kuadrin e prokurimit publik. Për sa i përket familjeve, kjo shtyllë mbështet sigurimin e tyre ndaj tërmeteve dhe ndihmon ata me aftësi të kufizuara dhe më të cenuarit për të përfituar nga rritja e efektivitetit të asistencës për aftësinë e kufizuar”, thuhet në dokumentin e Bankës.

I njëjti raport citon Fondin Monetar Ndërkombëtar në përmbledhjen e fundit për Shqipërinë të 2022-it ku thuhet se Shqipëria përjeton mesatarisht 0.8 fatkeqësi natyrore në vit, dhe kosto mesatare e mediane përkatësisht prej 0.6 për qind të PBB-së dhe 1.3 për qind të PBB-së për ndodhi(fatkeqësi).

Drafti i sigurimit të detyrueshëm

Shqipëria mbetet një vend me aktivitet sizmik të ndjeshëm duke e bërë shpesh herë sigurimin ndaj këtyre ngjarjeve pjesë të tryezave . Por pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019 ku dëmet për Shqipërinë llogariteshin në rreth 1 miliardë euro qeveria nxitoi të deklaronte se do të kishte ndërhyrje ligjore.

Si pjesë e diskutimit të asaj kohe ishte edhe sigurimi i detyrueshëm i banesave për të cilën Banka Botërore kishte vite që lobonte por që nuk ishte arritur të finalizohej asnjëherë.

Në dhjetor 2019 as një muaj nga tërmeti nisi të qarkullonte drafti i parë i sigurimit të detyrueshëm të banesave i cili parashikonte krijimin e një agjencie të dedikuar. Po kështu drafti parashikonte prime në dy shkallë. Prim sigurimi 25 Euro, për risqet e siguruara për ndërtimet me beton dhe 15 Euro, për risqet e siguruara nga ndërtimet me muratura të tjera.

I njëjti dokument nuk parashikonte asnjë fatkeqësi tjetër duke përjashtuar kështu përmbytjet që janë një tjetër eventualitet që ndodh jo rrallë në vend në rajone të ndryshme.

Por që nga ai moment duket se procesi nuk ka avancuar më tej. I vetmi që ka gjetur zbatim është sigurimi 10 vjeçar për ndërtimet e reja por që në vetvete nuk ka të bëjë me tërmetin por me mbulimin e dëmeve ndaj palëve të treta, ku për shkak të terrenit apo defektit në ndërtim, ndërtimi shembet-pjesërisht ose tërësisht, apo paraqet rrezik shembje.

Vlera minimale që u vendos në atë kohë për këtë lloj sigurimi ishte 0.1% për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit. VKM-ja u miratua në vitin 2019 dhe mori nxitje nga tërmetet e shtatorit të po atij viti./Monitor