7 janar 2015 –  Sulmuesi i njohur Mirel Çota rikthehet në Durrës madje ka filluar menjëherë stërvitjen. Kjo është një goditje e rëndësishme në merkaton e durrsakëve kur një nga lojtarët më të spikatur të Teutës përpara disa sezonesh rikthehet tek djemtë e detit. Sikurse kishte deklaruar presidenti Hasanbelliu për ndërhyrje në të tria repartet mesfushë, sulm dhe mbrojtje, operacioni është mbyllur më shpejt se sa pritej. Drejtuesit durrsakë pasi mbyllën marrëveshjen me mbrojtësin Brahja dhe mesfushorin Bekim Kuli, i'a arritën qëllimit dhe riveshën bardheblu edhe sulmuesin Mirel Cota. Sulmuesi u ushtrua së bashku me grupin, i cili duket shumë i plotë. Këto tre përforcime do t'i bëjnë shumë punë skuadrës durrsake. Për koiçidencë të tre lojtarët rikthehen tek Teuta. Si mbrojtësi Brahja, mesfushori Kuli ashtu edhe sulmuesi mirel Cota më herët kanë qenë pjesë e "djemve të detit". Sulmuesi Mirel Cota është shprehur i lumtur për rikthimin në Durrës.

Sulmuesi e konsideron shtëpi të dytë skuadrën durrsake, për të cilën shprehet se do të japë maksimumin për ta ndihmuar në arritjen e objektivit. "Jam shumë i lumtur që u riktheva tek Teuta. Unë e njoh shumë mirë këtë skuadër pasi kam qenë pjesë e saj edhe më herët për disa sezone. Sa i përket ambjentimit këtu nuk do të jetë problem, sepse ndihem si në shtëpi. Do përpiqem me të gjitha mënyrat dhe do të jap maksimumin për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivit, që tashmë për fat të keq ka ngelur vetëm mbijetesa. Personalisht jam i bindur se Teuta nuk rrezikon dhe do vazhdojmë të punojmë intesivisht për t'u ngjitur sa më lart në tabelën e klasifikimit.” 

Teuta e ka nisur me ndryshime të shumta vitin 2015. Deri më tani durrsakët kanë afruar pesë lojtarë:Cotën, Brahjan, Kulin, Stafën dhe Beqjan. Sakaq, ka patur edhe largime. Nga skuadra janë larguar Krasniqi, Shabani dhe Fall. në provë janë edhe dy lojtarë të rinj, njëri vjen nga "Tirana B" dhe tjetri nga "Luzi 2008".