TIRANË, 9 Shkurt 2014-Me një tjetër koncept dhe “aromë italiane”,këte fund  jave eshte ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, baleti i mirënjohur “Zhizel” (Giselle). Prim-balerinët Petra Conti dhe Eris Nezha, ngazellyen  publikun e kryeqytetit me profesionalizimin e tyre.

Te shtunen baleti ka nisur me një homazh kushtuar bilbilit e ikonës së muzikës shqiptare që u nda nga jeta ditë më parë, Vaçe Zela. Ndërsa gjatë mbrëmjes së sotme skena e TKOB-it ishte mbushur me spektatorë të shumtë. Te dy  aktet e baletit “Zhizel”, pasuan me duartrokitjet e publikut që kishte mbushur sallën e TKOB-it.

Dy yjet e kësaj shfaqjeje, Petra Conti si balerinë e parë e Teatrit “La Scala” e Milanos e “Boston Ballet” si dhe Eris Nezha, interpretuan  nje performancë plot emocion, dhe te realizuar mjeshterisht ne nje  skenografi dhe kostumografi te realizuar nga Taulant Pustina.

Eris Nezha, është diplomuar në Akademinë e Kërcimit në Tiranë në vitin 1997, ndërsa më tej vijoi karrierën artistike në Milano. Pas një vit formimi në Teatrin “Carcano” u pranua në Shkollën e Baletit “La Scala”, ku edhe u diplomua në vitin 2002. Prej atij viti ka marrë pjesë në shfaqje të ndryshme me këtë trupë baleti, ndërsa në vitin 2011, u përzgjodh prim-balerin së bashku me Petra Contin, “një, çift në punë e në jetë”, nga drejtori Makhar Vaziev, si balerinët e parë të teatrit “La Scala”, gjatë turneut Bolshoi në Moskë me baletin “Ëndrra e një nate vere”.

 

Prim-balerina Petra Conti, ka baba italian dhe nënë polake, ndërsa është diplomuar në vitin 2006 në Akademinë Kombëtare të Kërcimit në Romë nga Maestro Zharko Perbil dhe pas një viti specializimi në “Marijinski Ballet” si dhe një sezoni në “Bavarian State Ballet” të Monakos, në 2009 debutoi pikërisht në rolin e Zhizel-it, në teatrin “La Scala”. Në vitin 2011, të dy artistët u nderuan me çmimin “Premio Danza & Danza” si interpretuesit më të mirë të vitit.

Historiku

Baleti Zhizel është vënë për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në vitin 1988, nga koreografi Agron Aliaj, nën interpretimin e Enada Hoxhës dhe Gerd Vasos e çifit Eno Birko dhe Anbeta Toromani. Sërish ringjitet në skenën e TKOB-it, më 22 nëntor-15 dhjetor 2011, me Enada dhe Gerd Vason si dhe Odeta Dishnicën dhe Evis Nallbanin.

Baleti me dy akte, me muzikë nga Adolphe Adam, është i ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane me koreografi të J. Perrot, J. Corrali dhe M. Petipa. Drama e baletit ka në qendër dashurinë, ku një vajzë 15-vjeçare e cila dashuron për herë të parë, zhgënjehet, pasi dashuria e saj e parë hiqet si një fshatar, e në të vërtetë është një princ.

Por edhe në botën e përtejme, ajo vijon ta dashurojë atë, pavarësisht se ai e gënjeu. Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri edhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë mbi gjithçka.   /ATSH- Edmond Prifti/