Shtëpia e Bardhë iu përgjigj thirrjes gjatë fundjavës nga eurodeputeti francez Raphaël Glucksmann për amerikanët që të “rikthejnë Statujën e Lirisë”. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se nëse sot francezët nuk flasin gjermanisht, është vetëm falë Shteteve të Bashkuara.
“Ata duhet të jenë shumë mirënjohës për vendin tonë të madh”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, duke e quajtur Raphaël Glucksmann një “politikan francez të vogël dhe të panjohur”.
Eurodeputeti francez, Raphaël Glucksmann e bëri kërkesën e pazakontë ndaj Shteteve të Bashkuara duke sugjeruar që Franca të marrë mbrapsht Statujën e Lirisë, me argumentin se Amerika nuk përfaqëson më vlerat për të cilat kjo dhuratë u ofrua nga populli francez në vitin 1886.
Glucksmann, i njohur për mbështetje të fuqishme ndaj Ukrainës, ka kritikuar ashpër politikat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe veprimet e tij që ai i konsideron si një tradhti të vlerave demokratike.
“Amerikanëve që kanë zgjedhur të qëndrojnë në anën e tiranëve dhe të shkelin liritë themelore, u themi: na ktheni statujën”, ka thënë ai gjatë një konference në Paris, duke shtuar se monumenti duhet të kthehet në shtëpi.