Kanë qenë padyshim një burim çudie dhe habie për shumë, këpucët e vjetra dhe tërësisht të amortizuara me të cilat kapiteni Jack Grealish udhëhoqi ringritjen e skuadrës së Aston Villa në Premier League, pas fitores 2-1 ndaj Derby County.
Cila është historia që fshihet pas këpucëve magjike të Grealish?
Ishte vetë kapiteni i Aston Villa, ai që në përfundim të ndeshjes më të rëndësishme të sezonit, ka rrëfyer sekretin që fshihet pas atyre këpucëve të futbollit “Nike Mercurials”.
“U riktheva nga dëmtimi dhe natyrisht këto ishin kështu. Shënova disa gola shërbeva gjithashtu për disa gola të tjerë, ndaj dhe mendova se këto ishin këpucët e mia me fat. Duhej patjetër që t’i mbaja!”, tregoi Grealish.
Pavarësisht këpucëve në gjëndje të mjerueshme, ky ka qenë një sezon spektakolar për Jack Grealish, me 23-vjeçarin që është përzgjedhur në skuadrën e vitit për Championship. Tashmë e ardhmja e tij te Aston Villa është në dyshim, për vetë interesimin që Grealish ka ngjallur te ekipet më të mëdha.





