Fëmijët e kthyer nga emigracioni ndjekin mësimet në nivelet përkatëse në shkollat e Shqipërisë. Janë të shumta vështirësitë fillestare, veçanërisht në drejtshqiptimin dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Kthimi, që ka si shkak vështirësitë ekonomike të familjeve të tyre në shtetet fqinjë duket se ka për pasojë jo pak problem riintegrimin në shkollë e shoqëri të fëmijëve.

Për mësuesit, këta nxënës hasin vështirësi serioze me shqiptimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Të gjithë këta nxënës mësohet se ndjekin sot orë suplementare në gjuhën shqipe dhe lëndët ku kanë më shumë probleme. Stafi pedagogjik ka hasur probleme me mbërritjen e këtij kontigjenti, pasi atyre u janë dashur muaj vetëm për të përmirësuar drejtshqiptimin e tyre. Një pjesë e mirë e këtyre fëmijëve nuk dinë as të shkruajnë dhe as të lexojnë shqip, madje një pjesë e madhe nuk dinë as të flasin.

Integrimi i tyre në fakt varet nga ambienti që atyre u krijohet nëpër shkollat ku mësojnë, në të cilat shpesh nuk mungon edhe qëndrimi negativ dhe përqeshës i shokëve të klasës me këta fëmijë të sapokthyer, të cilët kanë shumë mangësira në shqiptimin e gjuhës shqipe. Këtë vit në shkollat e Durrësit janë regjistruar pothuajse 120 fëmijë emigrantësh. Çdo nxënës është regjistruar në klasën respektive, për t’u integruar me bashkëmoshatarët e tij në klasën që i takon. Ata kërkojnë të mësojnë nga nxënësit dhe të mbështeten nga mësuesit edhe me programe të veçanta, për të mos humbur asnjë muaj apo vit shkollor.

Përgjegjësia për mësimin e gjuhës prindërore të fëmijëve emigrantë është padyshim e prindërve, sepse jo gjithmonë individët dhe familjet e kanë të përcaktuar se ku do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre. Mendoj se kurset intensive ndihmojnë përkohësisht, por nuk janë zgjidhje përfundimtare për mësimin e gjuhës shqipe, sepse didaktikisht një gjë që mësohet shpejt, gjithashtu harrohet shpejt.

Alma Keta Oshafi:Rikthimi i "dhimbshëm" i fëmijëve të emigrantëve, ka ardhur si pasojë e krizës apo e kthimit të prindërve emigrantë për arsye të ndryshme. Janë pikërisht fëmijët e emigrantëve ata që e kanë më të vështirë integrimin në shoqëri pas kthimit në atdhe. Numri i këtyre fëmijëve po shtohet nga viti në vit dhe zgjidhja është e vështirë nga shumë familje. Përballja e këtyre nxënësve me një shkollë dhe gjuhë tjetër i ka lënë si "peshku pa ujë" në shumë raste. Cilat do të ishin disa lehtësira që ju mund të rekomandoni nga përvojat tuaja personale ose jo, për t'ju ardhur në ndihmë fëmijëve dhe familjeve të tyre?

Manai Durrës:Unë mendoj se ka shumë lloje mundësish, të cilat mund t’i organizojë dhe shkolla ku ata po mësojnë. Angazhimi i mësuesve pensionistë në këtë drejtim mendoj se është një ndihmë për këta nxënës.

Luljeta Rama:  Këta fëmijë po hasin probleme jo vetëm në shkollë, por edhe jashtë saj, pasi në Shqipëri dihet se si është opinoni. Më vjen keq për ta, sepse është shumë e vështirë përshtatja e tyre me shoqërinë e re në një ambient të ri sidomos ata që janë adoleshentë në një moshë dhe pak delikate. 

Iljaz Bajraktari:Nuk duhet të tremben nga mos përshtatshmëria. Në fillim do të zënë një ose dy shokë që i përshtaten më shumë dhe me anë të tyre do të fillojnë të njohin hap pas hapi realitetin e ri. Nuk duhet të tremben për ndryshimet që mund të shohin, por të përballen dhe ambientohen me to.

Laura Luca Niço:Personalisht gjëja e parë që më shkon në mendje, janë klasat përgatitore për gjuhën shqipe. Kjo është e nevojshme sidomos për ata fëmijë emigrantësh që nuk dinë mirë gjuhën shqipe. Këta fëmijë edhe nëse dinë të komunikojnë mirë në gjuhën shqipe, e kanë shumë të vështirë t’i përshtaten një ambienti të ri nga të gjitha anët, mësimet në gjuhë tjetër, fjalori i ri, mësuesit, shokët e rinj, kultura, mentaliteti. Për fëmijët është një botë komplet e re. Ata vuajnë dhe shpirtërisht, sepse janë shkëputur nga një vend që e konsideronin SHTËPI .

Anila Liti Mejdani:Problemi nuk është tek gjuha, sepse atë brenda muajit e mësojnë edhe sikur të mos e flasin, veshi është i stërvitur, por këta fëmijë ndihen të çrrënjëzuar dhe ajo ndjenjë është e vështirë të të largohet, sikurse nuk na është larguar ne të rriturve. Imagjinoni sa e vështirë është për psikologjinë fëmijërore. Bëjnë përpjekje shumë të madhe që të bëhen pjesë e shoqërisë në vendet ku jetojnë, që të pranohen nga ambienti vendas, që të jenë njëlloj me fëmijët e tjerë dhe vjen një moment që u duhet të largohen nga ky ambient dhe të shkojnë në një fshat, ose qytet të panjohur me krejtësisht të tjera zakone, mentalitete, rregulla, njerëz, gjuhë, shkollë etj. Kjo është shumë e vështirë. Personalisht e kam shumë problem dhe është kjo temë që më frenon të rimarr vendim shpërnguljeje nga vendi ku jetoj. Nuk është kollaj të marrësh vendim edhe në emër të fëmijës tënd.

Alma Keta Oshafi: Si veprohet me fëmijët tanë kur shkojnë në emigrim? Çfarë bëjnë shkollat pritëse të vendeve ku ju jetoni për t'i integruar në shkollë?

Anila Liti Mejdani:Po flas për Greqinë. Nuk dëgjova kurrë nga fëmijët të kenë ndonjë problem. I futën direkt në shkolla, duke u sugjeruar një klasë më poshtë (për lehtësi në lëndët shkencore), por pa detyrim. Në shkollat që kishin mundësi u bëheshin dhe orë shtesë në gjuhë, por duke qenë se vinin në ambient më të mirë se sa atje ku ishin, jashtë shtetit (uau), lodra, veshje etj, brenda 3 muajsh ishin të parët e klasës. Flas për ata fëmijë që kishin prindër me logjikë, sepse ka dhe nga ata që i sollën nga rrugët dhe i lanë rrugëve. Problem me kthimin në Shqipëri kanë fëmijët që janë të vegjël (pronë e prindit) dhe si pyet njeri, ndërsa ata që janë të rritur venë vetë në shtëpi. Kam një kushëririn tim që i tha e bija: Vras veten dhe atje nuk kthehem (17 vjeç, lindur dhe rritur në Athinë, me shqipe të përsosur dhe me studime shqip dhe greqisht). Çfarë mund të bëjë ky njeri kur fëmija shprehet në këtë mënyrë, tani ai mundohet të gjejë punë dhe të shpresojë se gjërat do të rregullohen. Unë nuk mund të them se mora rrugët për të ardhmen e fëmijës, sepse nuk e kisha bërë akoma,  por nëse tani duhet të mendoj rikthimin nuk kam më të drejtë të vendos kaq lehtë. Mbase për mua atje mund të jetë më mirë (jam e sigurtë për këtë), por çfarë të ardhmeje do të ketë fëmija im (mos harrojmë që janë mësuar me të tjera rregulla dhe norma), në Shqipërinë e sotme. Ashtu si funksionojnë shkollat atje edhe ata që janë vendas e kanë ca të vështirë të shkëlqejnë. Kam parë këtu fëmijë që erdhën në mes të vitit nga malësitë e Shqipërisë, filluan shkollën dhe klasën e saktë dhe pa asnjë lloj ndihme në fund të vitit shkollor i dinin të gjitha dhe një vit më vonë morën medalje nga ministria. Flasim për greqishte të re dhe të vjetër (tmerr më vete). Unë them që nuk është gjuha si gjuhë problemi i këtyre fëmijëve, por është ana psikologjike, sepse në Shqipëri  nuk ke asnjë lloj ndihme në këtë drejtim. Program më të ngjeshur dhe më të rëndë se shkollat greke nuk ka në shkollat shqiptare, por gjithashtu në shkollat jashtë Shqipërisë ka rregull, ka kufizime të caktuara, ka kushtëzime por dhe liri të njohura me ligj, ka psikolog në shkollat të gatshëm për çdo rast. Kjo është diferenca e madhe në Greqi ke të bësh me ligjin, ndërsa në Shqipëri me dëshirën dhe ndërgjegjen e njerëzve (mësuesve).

Alma Keta Oshafi: Sigurisht që ndryshimet janë të vështira në çdo këndvështrim, por realiteti flet për kthim emigrantësh çdo ditë dhe mendimi i shprehur nga Laura është një zgjidhje për t'u marrë në konsideratë. Unë do të shtoja edhe aktivizimin e këtyre fëmijëve në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, e cila ofron kurse në fusha të ndryshme, natyrisht janë dhe falas. Gjuha e shkruar ka më shumë probleme tek ata fëmijë që janë në fillore për më të rriturit është problem dhe shqiptimi dhe drejtshkrimi. Kjo vështirësi i bën të hasin probleme në shprehjen e mendimeve të tyre. Kjo sjell fatkeqësisht rënie në mësime dhe nuk shkëlqejnë në mësime ashtu si në vendet nga vijnë.

Enkeleida Ballanca:Ndryshimet janë gjithmonë të vështira, kudo që ti mund të kërkosh të hedhësh hapin edhe pse mund të jenë të njëjtat rregulla e norma. Nëse fëmijët janë të rritur dhe janë në shkollë është shumë e vështirë t’i shkëpusësh nga një jetë dhe të kërkosh t’i integrosh në një jetë tjetër. Ne çdo gjë që kemi bërë e kemi bërë nga nevojat personale. Fëmijët tanë e mendojnë ndryshe. Shpresojmë që rrethanat të mos na detyrojnë të bëjmë zgjidhje për zhvendosje nga një vend në tjetrin. Unë kam dy fëmijë adoleshentë 16-vjecarë që në asnjë mënyrë nuk pranojnë të shpërngulemi dhe pse nuk bëhet fjalë për në Shqipëri.

Arta Gjyli-Salaj:Me të vërtetë është shumë e vështirë për fëmijët tanë, shpresojmë të mos e kemi rriskun të kthehemi, megjithatë të vegjlit e kanë më të lehtë se fëmijët që janë mbi 12 vjeç. Shpresoj me gjithë zemër që gjërat të rregullohen për të gjithë, sepse për të ardhmen e fëmijëve ne morëm rrugën e mërgimit.

Luiza Agaraj:Gjynah për fëmijët, të cilët janë mësuar me një jetë tjetër dhe për çështje që nuk mund t’i influencojnë duhet të ndërrojnë komplet ritmin e jetës. Gjithashtu është turp për prindërit që nuk ju kanë mësuar shqip fëmijëve të tyre, apo shkuan nëpër botë dhe u bë “deti kos”. Për të pasur një integrim më të mirë këta fëmijë nëpër shkollat shqiptare, si fillim ata duhet të merren në provim për nivelin e njohjes së gjuhës shqipe. Nëse nuk e kalojnë këtë test duhet të bëjnë një vit kurs intensiv të gjuhës shqipe, pastaj të pranohen në shkollë. Futja direkte në shkollë pa njohuri të gjuhës shqipe dëmton ata vetë dhe nxënësit e tjerë të klasës. Motra e vëllezër shqiptarë që keni lënë atdheun tuaj, shtëpinë e prindërit vetëm për një jetë më të mirë për fëmijët tuaj dhe punoni me fuqinë e shpirtit që gjithçka t'ua trashëgoni atyre: Gjuha është pasuria më e madhe që duhet t'u lini trashëgimi fëmijëve tuaj, sido që të bëhen në jetë, të pasur apo të varfër, do të kenë nevojë për identitetin e tyre real!