Dejan Shehi rikthehet te Teuta. Durrsakëve u është bashkuar qendërmbrojtësi, i cili në janar u huazua te Besa. Pasi luajti 15 ndeshje si titullarë dhe realizoi dy gola me kavajasit e drejtuar prej Julian Ahmatajt, lojtari, i cili konsiderohet si element i perspektivës, do të bëhet sërish pjesë e Teutës.Marrëveshja e “huas” ka përfunduar, ndaj pritet që Gugash Magani ta planifikojë si pjesë të organikës për sezonin e ri. Është vetë elbasanasi që e konfirmon këtë lajm, ndërsa qartëson se pas eksperiencës në Kavajë është gati për të shkëlqyer me “djemtë e detit”.Shtatlarti i defensivës shfaq gatishmërinë për të mbrojtur ngjyrat e durrsakëve.

Megjithatë, fjala e fundit i mbetet klubit, edhe pse lojtari është nën kontratë.“Pas eksperiencës në Kavajë kthehem në Durrës. Unë kam qenë i huazuar tek ekipi i Besës, por ajo marrëveshje mbaroi, ndaj me fundin e sezonit bëhem sërish pjesë e ‘djemve të detit’. Kam biseduar dhe me trajnerin Maganin dhe jam i lumtur që më ka mirëpritur. E pres me padurim që të vesh përsëri fanellën e kësaj skuadre.Për kohën që kam luajtur me Besën them se kam përfituar shumë. Jam aktivizuar në 15 takime dhe kam shënuar dy gola. Dhe atje jam ndier shumë mirë nën urdhrat e trajnerit Ahamataj. Por është emocion tjetër të jesh pjesë e Superiores dhe aq më tepër e Teutës”, përfundoi Shehi.Klubi dhe stafi teknik po punojnë për të ndërtuar një ekip dinjitoz, ndaj pritet që sezonin tjetër durrsakët të kenë pretendime madhore dhe kurrsesi nuk do të diskutohet rënia. “Piketat” për merkaton janë vendosur dhe e vetmja gjë që pritet tashmë është që të nisin negociatat dhe të vijnë firmat e para.