Tiranë, 4 gusht 2014 – Si asnjëherë tjetër në këto vite të fundit, kampionati shqiptar do të ketë në përbërjen e vet më shumë se një skuadër lojtarësh që luajnë ose kanë qenë pjesë e ekipit tonë përfaqësues. Një gjë e tillë natyrisht rrit ndjeshëm jo vetëm shikueshmërinë, por edhe interesin e tifozëve karshi skuadrave të tyre. E nëse Kukësi do të afrojë edhe Emiliano Vilën, me të cilin është në kontakte të vazhdueshme (por nuk është çudi që lojtari të zgjedhë edhe ndonjë skuadër tjetër të Superiores, varet se ku do marrë ofertën më të mirë), atëherë për edicionin 2014- 2015 në elitën e futbollit shqiptar do të luajnë plot 12 futbollistë që janë pjesë e skuadrës që drejton aktualisht trajneri italian, Xhani de Biazi. 

Edhe pse ka grumbulluar gjithnjë lojtarë nga kampionati shqiptar, trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, është kundër rikthimit të futbollistëve që luajnë në skuadrën që ai drejton në Shqipëri. Një gjë të tillë ai e konfirmoi para pak ditësh kur u pyet në lidhje me Currin dhe Vilën. “Kthimin në Superiore si Currit dhe Vilës nuk do t’ua uroja. Nuk kam asgjë kundër Superligës shqiptare, por niveli që prodhon më bën pesimist, ndaj gjykoj se një rikthim aty do ishte hap prapa. Vila ishte në dyshim kur aktivizohej në Greqi, kjo nisur nga fakti se luante në një skuadër të dorës së dytë (PAS Janina) dhe jo më nëse kthehet në Shqipëri. Por le të shpresojmë që ai do të gjejë një skuadër jashtë”, theksoi De Biazi.

Në përgjithësi lojtarët e huaj që vijnë në kampionatin shqiptar nuk kanë cilësi, ndaj është shumë e vështirë që ndonjëri prej tyre të luajë në ekipet përfaqësuese. Nëse sezonin e shkuar kishim vetëm tre të tillë, këtë vit ky numër është dyfishuar, për faktin se Tirana ka bërë një merkato disi më cilësore. Te bardheblutë luajnë aktualisht 5 lojtarë, që grumbullohen rregullisht, madje janë edhe pjesë e formacioneve bazë në kombëtaret e vendeve të tyre. Bëhet fjalë për Francis Kahata, i cili edhe dje ishte në fushë me Kenian në ndeshjen ndaj Lesotos; Medie Kagere, që shënoi golin e kualifikimit në Kupën e Afrikës për Ugandën ditën e shtunë në përballjen ndaj Kongos; Selemani Ndikumana, që mban shiritin e kapitenit te përfaqësuesja e Burundit; Francis Olaki, i cili luan për Ugandën dhe Dirkir Glej, që luan për Kombëtaren e Liberisë. Përveç këtyre, te Skënderbeu gjejmë Bakari Nimaga, sulmues 20-vjeçar i Malit, i cili ishte edhe vjet një nga më të mirët e Kombëtares së tij në turneun mesdhetar në Turqi. Këta janë të vetmit lojtarë të huaj që luajnë aktualisht me ekipet përfaqësuese të vendeve të tyre, ndërsa ka qenë në Kombëtaren e Maqedonisë, por nuk grumbullohet më edhe Nderim Nexhipi i Partizanit. 30-vjeçari ka të paktën dy vjet që nuk është thirrur më në një ndeshje zyrtare të kësaj skuadre.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/