Në Irlandën e Veriut po mbretëron një paqe e brishtë, e cila po kërcënohet për shkak të urrejtjes së thellë mes protestantëve dhe të krishterëve. Edhe përkundër faktit se procesi paqësor po vazhdon që disa vjet, po ndërtohen mure të reja ndarëse mes dy komuniteteve.

Gerard Feeney është rritur në vijën e frontit të konfliktit në Irlandën e Veriut. Gjithë jetën e tij ky 55 vjeçar ka jetuar në perëndim të Belfastit-një prej epiqendrave të “Trouble”, siç quhet këtu konflikti mes protestantëve dhe të krishterëve. Gjatë një periudhe të caktuar kohore, Gerard kishte menduar që të largohej, por më pas ai u punësua, u njoh me bashkëshorten e tij Jeanette dhe u bë me dy fëmijë.

Ai ndërtoi një shtëpi për familjen e tij dhe harroi ëndrrat për Kanadanë e largët, ku jeta ishte e mërzitshme, por megjithatë e sigurt. Në anën tjetër, të shtënat me armë zjarri në rrugët e Belfastit janë përditshmëri. “Atëbotë ke mundur të vritesh në çdo çast, por unë gjatë kësaj periudhe kam njohur edhe shumë miq të ri”, thotë ai.

Gerard jeton në një lagje të pastër, e cila të krijon përshtypjen e një lagje, e cila plotëson ëndrrat e klasës punëtore. Gerard Feeney kishte më shumë fat se 4 mijë personat, të cilët kanë vdekur gjatë konfliktit në Irlandën e Veriut. Kur dhuna mes protestantëve dhe të krishterëve arriti nivelin e një lufte qytetare, ai kishte 10 vjet.

“Beteja në Bogside”, më 12 gusht të vitit 1969, ishte fillimi i konfliktit i cili zgjati gati tri dekada, gjatë së cilit konflikt erdhi deri të krijimi i getove etnike në pothuajse gjithë Irlandën e Veriut. Zyrtarisht, konflikti në Irlandën e Veriut konsiderohet i përfunduar që nga viti 1998, ndërsa procesi paqësor që vazhdon është paraparë të parandalojë gjakderdhjen e re.

Por grupet religjioze në Derry dhe Belfast ende jetojnë të ndara. Edhe Gerard jeton në një lagje të krishtere. Ai i shmanget lagjeve protestante të qytetit.

Për të huajt janë këto rregulla që vështirë kuptohen, rregulla këto të cilave të krishterët dhe protestantët ju përmbahen çdo ditë. Kështu, emrat si Bally, Mervin, Trevor apo Samuel, dëshmojnë qartazi për prejardhjen e krishtere të personave që kanë këta emra.

Në anën tjetër, ata që quhen Patrick, Michael apo Sean, sipas të gjitha gjasave janë protestantë. “Shumë njerëz këtu bartin tatuazhe, për të treguar se cilës anë i takojnë”, thotë Gerard.

Edhe futbolli këtu është një çështje tejet politike dhe të gjithë ata, të cilët bartin tatuazhe të klubit të futbollit, Seltik, janë të krishterë. Ithtarët e Rangersave në anën tjetër janë protestantë. Para shtëpive të të krishterëve valojnë flamujt irlandez, ndërsa para atyre të protestantëve flamujt britanik.

Rreth dy kilometra larg shtëpisë së Gerardit gjendet simboli më i dukshëm i ndarjes: një i ashtuquajtur “Mur i Paqes”. .

Belfasti ka rreth 25 mure të tilla, ndërsa në tërë Irlandën e Veriut ekzistojnë 40 mure. Edhe përkundër faktit se ishte paraparë që procesi paqësor ti jepte fund ndarjes, ndërtimi i mureve të reja po vazhdon.

“Muret duhet të parandalojnë që njerëzit të hedhin gurë apo lëndë shpërthyese në anën tjetër”, thotë Gerard dhe bën me gisht kah telat, të vendosur në maje të murit të lartë shtatë metra.

“Përderisa situata mbetet e qetë, çdo që është në rregull për mua. Edhe përkundër kësaj, nuk kam dëshirë të jetoj në afërsi të një muri të këtillë, ngase muri më shqetëson”, shton ai.

Këtu, në pjesën perëndimore të Belfastit ende mund të vërehen plagët e konfliktit. Përderisa njësia paramilitare protestante, Forca Vullnetare e Ulsterit (UVF), zyrtarisht ka shpallur të përfunduar luftën e saj në vitin 2007, Armata Republikane e Irlandës (IRA) ekziston ende.

Pasi ai punon në shërbimin për mirëmbajtjen e rrugë në qytet, Gerard në vazhdimësi përballet me gjurmët e konfliktit. Ai ka parë shumë viktima, të cilat janë copëtuar nga bombat apo janë vrarë me armë zjarri.

Tre persona kanë vdekur para syve të tij. Ai ishte fëmijë, kur kishte parë vrasjen e një personi nga ana e ushtarëve britanikë. Disa vite më vonë, ai kishte parë se si një snajperit i IRA-s nuk kishte qëlluar një ushtar britanik, por në vend të tij kishte vrarë një fëmijë trevjeçar.

Sot Gerard është i lumtur që periudha më e vështirë ka kaluar. “Një ditë Irlanda do të jetë e bashkuar”, beson Gerard. Por se a do ta përjetoi atë ditë, këtë ai nuk e di.