TIRANË, 12 prill 2013 – Shqipëria po sheh mundësinë për rikthimin e rusishtes si gjuhë të dytë të huaj në arsimin e mesëm dhe në arsimin e lartë, bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
I sapoemëruari në postin e zëvendëskryeministrit, titullari i arsimit shqiptar Myqerem Tafaj ka pritur ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë Leonid Abramov.
Tirana ka falënderuar Moskën për bashkëpunimin dhe mbështetjen nëpërmjet programit të bursave në arsimin e lartë.
Në vitin 2012 nga programi i qeverisë së Rusisë për mbështetjen e studentëve shqiptarë përfituan 20 studentë për studimet universitare dhe 5 studentë për ato pasuniversitare.
Abramov-i propozoi ngritjen e një komisioni të përbashkët për përzgjedhjen e kandidatëve.
Më tej u diskutua për mundësitë e mësimit të gjuhës ruse si gjuhë e huaj e dytë në arsimin e mesëm dhe në arsimin e lartë, tha MASH-i.
/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





