Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nënshkroi në Londër me presidenten e BERZH, Odile Renaud-Basso marrëveshjen e huasë për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.

Balluku ndau në rrjetet sociale momente nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, duke e cilësuar linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit një projekt të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin.

Sipas Ballukut, kjo linjë hekurudhore do të rrisë komunikimin mes vendeve.

“Me Presidenten e BERZH Odile Renaud-Basso nënshkruam marrëveshjen e huasë për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Një projekt i rëndësishëm për ne dhe rajonin, i cili do të rrisë komunikimin mes vendeve, duke nxitur e lehtësuar lëvizjen e qytetarëve”, theksoi Balluku.