Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka folur për vendimin e Parlamentit të Holandës që ka vendosur për rikthimin e vizave për shqiptarët.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në përfundim të një aktiviteti ku merrte pjesë, Soreca u shpreh se rikthimi i vizave për Shqipërinë do të diskutohet vetëm në rast se qeveria holandeze e dërgon raportin e Parlamentit të saj te Komisioni Europian.

Ai tha se deri më tani nuk ka ndryshuar asgjë për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në Schengen, por i bëri thirrje qeverisë shqiptare dhe asaj holandeze të forcojnë bashkëpunimin në adresimin e problematikave të tilla si, emigracioni i parregullt dhe krimi i organizuar shqiptar.

Parlamenti i Holandës votoi dje një mocion që i rekomandon qeverisë së saj të kërkojë në Bruksel rikthimin e vizave për Shqipërinë. Shkak i parlamentit holandez për rikthimin e vizave është bërë rritja e kriminalitetit nga grupet shqiptare. Do të jetë qeveria e Holandës që do të vendosë nëse raportin e Parlamentit të saj do ta dërgojë për shqyrtim në Komisionin Europian ose jo. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, qytetarët shqiptarë nuk preken nga lëvizja e lirë në zonat Schengen nëse nuk ka një vendim të Komisionit Europian.