Ditët e fundit është parë në lokalet e Durrësit Artan Hoxha, kryetari i parë i degës së PD-së të Durrësit. Fakti që përmenda “ish kryetari” është domethënës pasi ai është takuar me disa prej themeluesve të PD-së 20 vite më parë. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë po flitet për një listë befasuese, ku pritet të jetë dhe emri i zotit Hoxha. Askush nuk mund ta mohojë apo pranojë një gjë të tillë përsa kohë nuk ka një listë zyrtare dhe nga kjo natyrshëm të lind pyetjen: Po i rikthehet PD në Durrës themeluesve? Po i rikthehet nga vlerësimi që ka për to apo nga halli që e ka gjetur për të gjetur emra dinjitoz?
Rasti që Artan Hoxha mund të jetë një kandidatë në Durrës për PD-në është pothuajse i njëjtë me atë që po ndodh me Eduard Selamin në Tiranë. Të dy janë themelues dhe të dy drejtues edhe pse në pozicione të ndryshme në PD. Që njerëz me kontribute të jenë në listën partiake aq më shumë për të dy këta emra, ku i dyti madje është sakrifikuar për lojra politike në zgjedhjen e presidentit kjo është gjë pozitive, po momenti dhe mënyra se sip o bëhet ky rikthim lë shumë për të dëshiruar.
Prej një muaji në Durrës qarkullon një listë me emra të mundshëm të listës së kandidatëve demokratë dhe mesa duket kjo ka ngjallur reaksion në këtë qytet jo vetëm për faktin se janë emra që kanë të bëjnë me klane, po për faktin se janë njerëz që kanë akumuluar pushtet dhe poste, madje kanë mashtruar dhe përbuzur dhe nuk gëzojnë asnjë lloj reputacioni. Mesa duket mesazhet në qendër kanë shkuar të forta dhe për faktin se shpesh në mbledhjet e PD-së ka konflikte, debate të ashpra që nëse do të ishin bërë në shtrirje kohe do kishin qenë shumë herë më efektive.
Kjo mesa duket i ka detyruar drejtuesit të hedhin sytë te ata që kanë qenë themelues edhe për të treguar se në ikje duhen dhe themeluesit, pasi në pushtet për ta nuk kishte shumë nevojë. PD-ja në Durrës si dega e dytë më e madhe në vend në këta tetë vite ka njohur “bum” prurjesh. Këtu nuk e kam fjalën për anëtarët që kolektivizohen me urdhër nëpër pallate sporti, po për ata që u anëtarsuan për të marrë poste dhe pushtet. Aq të mëdha kanë qenë këto prurje saqë themeluesit apo anëtarët e parë të PD-së u harruan, pa e menduar se një ditë pushteti ikën dhe ata duhen prapë.
Këtu nuk është fjala për të keqpërdorur disa nga themeluesit të cilët unë kam patur rastin ti njoh. Ata janë njerëz me dinjitet dhe ose kanë parë punën e tyre ose e dashur PD-në duke i ndenjur larg pushtetit edhe për faktin se nuk i ka afruar. Këtu bëhet fjalë për ata që e kanë uzurpuar PD-në dhe e kanë mjelur si lopë, për ata që e kthyen selinë e saj në zyrë punësimi për familjarë, të afërm, miq, për ata që paguanin për të marrë një vend pune dhe deputetët apo drejtuesit u kthyen në centralistë të pushtetit duke u marrë edhe me sistemime pastruesesh dhe aq më shumë me vende të tjera.
Fakti që ata kanë frikë të prezantojnë veten e tyre para demokratëve apo durrsakëve tregon shumë. Fakti që lista që shkoi nga Durrësi për në Tiranë ishte me emra kalcete apo deri dhe me bindje të majta tregon shumë. Fakti që një nga shkatërruesit e PD-së e emërojnë se nuk mund të zgjidhet më dhe ju ngel pa punë tregon shumë. Duke hapur sipas tyre PD-në në Durrës ata e shqyen atë dhe e katandisen si kurrë më keq. Sot listat e seksionëve bëhen fiktive me njerëz që i gënjejnë se do të jenë në pushtet, ndërsa ata që kanë dhënë kontributin i kanë mohuar dhe pjesëmarrjen në këto takime.
Kjo ka vetëm një shpjegim. Zëri i tyre do të jetë opozitar dhe kjo mund tu prishë punë. Duke e hapur PD-në ata po kuptojnë më në fund se pas tetë vitesh ajo është totalisht e mbyllur dhe është kthyer në parti servilësh ose frikacakësh që heshtin se duan një vend pune. Kjo është arsyeja që nuk gjejnë dot emra në Durrës. Jo se këtij qyteti i mungojnë, po ato nuk u bënë kurrë pjesë e klanëve apo lokalëve ku hartohen vendet e punës. Kjo është arsyeja që themeluesit kanë nisur t'i “begenisin” duke i qerasur me premtimin se do të fitojnë përsëri, por dhe me shpresën se ata do të jenë opozitar, ndërsa këtyre që erdhën nga rruga u duhet ose të prishin paratë e tenderave ose të paguajnë avokatë për të mos zënë ndonjë qeli.
/Artur Llana, Gazeta “Bulevard”/