DURRES, 22 shkurt 2013– Tekniku i Teutës, Gugash Magani, pak orë para takimit Tirana-Teuta, ka deklaruar se skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë për të përsëritur suksesin e dy ndeshjeve të fundit, duke lënë të kuptohet se kërkon të kthehet me tre pikë nga kryeqyteti. Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah”, numri një i pankinës durrsake, bëri të ditur se skuadra është gati për këtë përballje, ndërsa theksoi se të dy ekipet vijnë me shanse të barabarta në këtë përballje.
“Tashmë sapo përfunduan seancën e fundit stërvitore në kuadër të përgatitjeve për sfidën me Tiranën dhe besoj se gjithçka ka shkuar ashtu siç duhet. Kemi një skuadër që nuk i trembet asnjë kundërshtari dhe do të futemi në fushë për të luajtur sipas mënyrës sonë dhe të përpiqemi që të mos i nënshtrohemi lojës së kundërshtarit. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë sfidë, sepse përballë kemi një kundërshtar me shumë vlera. Tirana ka të njëjtat synime me tonat, prandaj gjithçka vlen dyfish”,- pohoi Magani.
Duke u ndalur tek skema që do të ndiqet në fushën e lojës, Magani u shpreh se do t’i qëndrojë besnik vendosjes në fushë të dy ndeshjeve të kaluara.
“Do të luajmë sikundër kemi luajtur edhe në dy ndeshjet e fundit të cilat i kemi fituar të dyja. Do të udhëtojmë drejt kryeqytetit me besimin se do të bëjmë gjithçka mirë në fushën e lojës, deri në detajin më të vogël”,- tha trajneri i djemve të detit.
Peqinasi do të udhëtojë nesër drejt kryeqytetit me një skuadër thuajse të plotë, ku e vetmja mungesë në radhët e bregdetarëve do të jetë ajo e mesfushorit Albi Dosti, i cili vuan pasojën e një dëmtimi të pësuar në miqësoret që skuadra zhvilloi gjatë fazës përgatitore. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës, përfshi këtu edhe portierin Rizvani, është gati për përballjen e madhe.
Rikthimi i kapitenit ka bërë që tekniku Magani të futet në mendime për të përzgjedhur titullarin që do të luajë nesër ndaj Tiranës.
“Në fakt kjo është dilema ime para kësaj ndeshje, por që deri në fillimin e takimit besoj se do të kem bërë zgjedhjen e duhur. Rizvani është kapiteni i skuadrës, por vjen pas një dëmtimi. Ndërsa Hoxha ka bërë paraqitje të mira dhe jam i kënaqur prej tij”,- pohoi tekniku.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





