40 objekte do të shemben në qendrën e qytetit bregdetar për ti hapur rrugë zbatimit të projektit për rijetëzimin e qendrës historike. IKMT ka nisur aksionin dhe për momentin nuk ka hasur në kundërshti nga ana e pronarëve të ndërtesave që preken.

Në Vlorë nisi aksioni për shembjen e rreth 40 objekteve që pengojnë zbatimin e projektit të Rikualifikimit të Qendrës Historike të qytetit bregdetar.

Burime zyrtare thanë se këto objekte janë të skualifikuara nga ALUIZNI në procesin e legalizimit, ndërsa IKMT thotë se kryesisht janë katet e treta të godinave ato që do shemben.

Projekti prek edhe muret rrethuese të disa ndërtesave në qendrën historike të qytetit. Në dy ditët  e para të aksionit nuk ka pasur kundërshtime nga pronarët e ndërtesave

Aksioni do të vazhdojë disa ditë dhe më pas do të fillojë zbatimi i projektit. Projekti i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve do të zbatohet në zemër të Vlorës, aty ku qyteti ende ruan identitetin, gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të./oranews