Nga BLEDIAN KOKA

Rruga e Kombit, Mamurras-Vorë-Rrogozhinë, Aeroporti i Vlorës, Stadiumi i ri Kombëtar, kullat pas Teatrit Kombëtar, koncesioni i faturave tatimore, konçesioni i autostradës Tiranës-Durrës, inceneratorët, Check-up-i, të gjitha këto janë një seri projektesh për të cilat prej 5 vitesh shqiptarët po i paguajnë me pare gjaku për llogari të disa oligarkëve të cilët vendosën në mendjen e tyre se i duheshin vendit.

Askush nuk ka bërë një projekt fizibiliteti për asnjërën prej këtyre projekteve, por pavarësisht në i duam ne apo jo, ‘ofertat e pakërkuara’ janë sot edhe ‘ofertat e parefuzueshme’ për të cilat milemi rregullisht çdo vit, çdo muaj , çdo ditë, çdo orë e çdo minutë.

Është ezauruese, makutëria me të cilën çdo ditë shqiptarëve i serviren si mrekulli ekonomike, projekte rrënuese jo vetëm për buxhetin e tyre, por edhe për vetë buxhetin e shtetit. Kushdo që deklaronte se Rilindja erdhi pa asnjë projekt në pushtet (përfshirë mua) si në 2013-ën ashtu edhe në 2017 sot e kupton që ka gabuar disi në analizë.

Gabimi qëndron vetëm tek pritshmëria.

Nëse qytetarët e vendit, prisnin një projekt zhvillimi që i përmirësonte më tej rrugët, i shëndoshte edhe më spitalet e veremit, do i servirte akoma më shumë ilaçe të paskaduara të sëmurëve, do i jepte më shumë kuptim ngrehinave që quhen sot shkolla e kopshte, do e jepte më shumë bukë të paginjurve të përhershëm, u zhgënjye pa u tharë mirë boja e votës pro Rilindjes (e imja shyqyr Zotit, jo).

Kushdo që priste që mjedisi sot të ishte më pastër, investimet e huaja të mos ishin zero si kurrë më parë, që siguria për jetën të ishte në pikëpyetje diçka më keq se në 97-ën besoj se sot natyrshëm është mbyllur në shtëpi që në orën 6 të pasdites.

Fatura e koncesioneve të ‘ofertave të pakërkuara’ në vitin 2019 pritet të shkojnë në 1 miliardë dollarë, 1/5 e produktit të brendshëm bruto të Shqipërisë, ose thënë ndryshe…, 1 lek për 10 oligarkë dhe 4 lekë për 3 milionë shqiptarë.

Bota është e padrejtë, a nuk është ajo?!… Por dreqi ta hajë edhe padrejtësia ka një limit, edhe makutëria ka një pikë ngopje, edhe zhvatja është më e mëshirshme se vetë termi që e përcakton. Rilindja jo.

Depopullimi i vendit është sot treguesi më i qartë që shqiptarët nuk kanë më dëshirë të rezistojnë, të presin se çfarë ndodh pas 1 viti  dhe dikush faj për këtë pjesë ka, dhe ka me okë. Por pa kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh, nuk mund të kuptojmë se çfarë do të ndodhë. 5 vjet më parë, shqiptarët votuan si ‘ofertë të pakërkuar’ Rilindjen, një projekt që iu prezantua atyre vetëm në eter dhe kurrë në letër.

Sepse shqiptarë nuk duhet të dinin, por duhet thjeshtë të bindeshin. Ata nuk duhet të kuptonin, por vetëm të zbatonin. Shoqëria (sidomos ajo pjesë që quhet elitë) është sot më e tulatur se kurrë. Jo se nuk ka reagim, por ai është gjithmonë e më fragmentarizuar në flaka kashte që fiken me një të fryrë nga ana e propagandës. Përça e sundo është version i vjetër, sot kemi varfëro e nënshtro.

Shumë miq intelektualë e mendje hollë, i shoh te flasin më pak edhe pse mendojnë shumë teksa psherëtijnë më thellë. Të ngjashëm me ata që pipëtinin dikur në qelitë e lagështa të Qafës së Barit, Spaçit apo Tepelenës. Shqipëria sot është një burg masiv, i një shoqërie që po i hiqet çdo e drejtë. Sot nën qeverisjen e ‘ofertës së pakërkuar’ pretendimet në raport me të arsyeshmen janë limituar deri në çmenduri.

Edi Rama është në gjendje ta justifikojë edhe heqjen e të drejtës për të menduar, dhe ta mbështjellë argumentin me qesen e letrës së karameles që pretendon se shqiptarët janë tipa që e teprojnë.

Me këtë qëllim ai vendosi tu heqë atyre të drejtën për patur vese, me vetëm një ndryshim. ‘Ofertën e pakërkuar’ të basteve sportive ia hoqi nja 10-15 kompanive dhe vendosi t’ia kalojë trekëndëshit barabrinjës Olsi Rama-Vangjush Dako-Gaz Demi.

Ku qëndron problem këtu?

Shqiptarët kanë nga sot edhe 8 muaj kohë për të reflektuar nëse ishte kjo ajo që kishin menduar se do tu ndodhte në vitin 2018.

A është ‘oferta e pakërkuar’ e Edi Ramës ‘një ofertë e parezistueshme’ edhe për 4 vite të tjera?!…/Syri.net