DURRËS, 27 maj 2013 – 13 kandidatët e PS të qarkut të Durrësit, të shoqëruar nga kryebashkiakët e Durrësit dhe Shijakut, kanë zbarkuar në bastionin e Agron Dukës, në qytetin buzë Erzenit.
Sipas zëdhënësit të fushatës, ekipi bregdetar i Rilindjes “ka zhvilluar një takim entuziast në pallatin e kulturës në Shijak, ku ishin dyndur qindra banorë të këtij qyteti”.
Anëtari i kryesisë së PSSH dhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se me qeverinë e ardhshme me kryeministër Edi Ramën të gjitha qytetet e vendit do të kenë një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës, një mjedis më të pastër dhe një jetesë më cilësore për banorët.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut Indrit Buka, pasi i bëri një ekspoze punës së kësaj bashkie deri tani, me gjithë pengesat nga ana e qeverisë, deklaroi se qeveria e kryeministrit Rama do të japë fonde të mjaftueshme për Shijakun në mënyrë që në dy vitet e para të qeverisë socialiste të ndërtohet pallati i sportit i qytetit dhe të shtrohen të gjitha rrugët e Shijakut.
Deputeti Blendi Klosi, u ndal te një nga plagët e mëdha aktuale në vend siç është papunësia dhe u premtoi shijakasve dhe të gjithë shqiptarëve se PS do të hapë 300 000 vende të reja pune.
Deputetja Klodiana Spahiu, e cila është ndalur në problematikat në arsim e shëndetësi, ku qeveria e sotme ka dështuar krejtësisht, deklaroi se këto sektorë do të rilindin krejtësisht nga reformat që do të ndërmerren nga PS-ja.
Kandidati Ilir Beqja u ndal në programin e Rilindjes për sa u përket taksave dhe biznesit duke u shprehur qeveria e PS do të heqë taksën e biznesit të vogël si dhe do të ndihmojë biznesin në shumë aspekte.
Sipas shtabit të fushatës rozë, banorët e Shijakut nga ana e tyre me entuziazëm shprehën bindjen e tyre të plotë në një fitore të thellë të PS-së dhe koalicionit të majtë jo vetëm në Shijak por në të gjithë Shqipërinë.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





