Ekziston një rregullim në dukje i thjeshtë që mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës klimatike: rimbjellja e pemëve në ato pyje që tani ishin djerrë. Por në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil, detyra po rezulton të jetë më e vështirë se sa duket. Dy nga nismat më të mëdha të ripyllëzimit në vend, po zhvillohen nga organizatat jofitimprurëse Rioterra dhe Fondacioni Black Jaguar.

Por grupet mjedisore që përballen me një sërë sfidash duke filluar nga mungesa e fondeve dhe moti ekstrem te dhuna dhe kërcënimet nga grabitësit armiqësorë të tokës. Shkencëtarët përgjithësisht pajtohen se ripyllëzimi në shkallë masive mund të ndihmojë në ngadalësimin e ngrohjes globale duke bllokuar dioksidin e karbonit në pemët. Përpjekje të tilla gjithashtu mund të rivendosin habitatet e kafshëve të egra dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e specieve të kërcënuara.

Në Brazil, përpjekjet e rimbjelljes janë operacione modeste deri më tani. Gjatë dekadës së fundit, Rioterra një organizatë jofitimprurëse ka mbjellë rreth 7 milionë pemë në Amazon – duke mbuluar një zonë pothuajse sa Manhatani. Alexis Bastos është një nga themeluesit e grupit. Pavarësisht rritjes së më shumë pemëve se pothuajse çdo grup që punon në Amazonë, Bastos thotë se është shumë larg asaj që nevojitet.

“Për Amazonën në tërësi, është e parëndësishme. Ne kemi restauruar tashmë pothuajse 6,000 hektarë në 10 vjet. Forca e shkatërrimit është shumë më e madhe se ajo e ndërtimit. Ti shpenzon vite e vite duke rikuperuar zonën, duke e restauruar, por një fermer me një makineri hedh gjithçka në tokë në sekonda.”

Black Jaguar është një tjetër organizatë jofitimprurëse edhe më ambicioze. Është një organizatë braziliane dhe evropiane dhe shpreson të shpenzojë të paktën 3.7 miliardë Dollarë në 20 vitet e ardhshme për të restauruar një zonë pyjore me madhësinë e Libanit.

Themeluesi i grupit është Ben Valks.

“Fondacioni ynë ka vetëm një qëllim të qartë, është të ndihmojë në rikthimin e biodiversitetit të Araguaia. Është një projekt masiv restaurimi, vetë hapësira është 2600 km i gjatë dhe deri në 40 km i gjerë. Për të pasur një ide të gjatësisë është e ngjashme me distancën nga Bostoni në Miami.”

Por rimbjellja e Amazonës nuk është e lirë. Bastos thotë se Rioterra shpenzon më shumë se 2 milionë dollarë në vit për ripyllëzimin.

Ndërkohë, përmes donatorëve të korporatave dhe private, Black Jaguar deri më tani ka arritur të mbledhë vetëm një pjesë të vogël, dy të dhjetat e një për qind të objektivit të saj: 3.7 miliardë Dollarë. Qeveria e Brazilit reduktoi fondet e ripyllëzimit kur ishte nën drejtimin e ish-presidentit e saj të krahut të djathtë Jair Bolsonaro, i cili u largua nga detyra në Janar 2023.

Black Jaguar ka nënshkruar kontrata me 26 ferma dhe ka mbjellë 326 hektarë tokë pyje deri më sot. Organizata jofitimprurëse synon që sezoni i ardhshëm i mbjelljes, që përfundon në Shkurt 2024, të jetë më i madhi ende me të paktën 500 hektarë të restauruar.

Administrata e tij ngriu gjithashtu Fondin Amazon, një program i krijuar nga qeveria që nga viti 2008 ka shpenzuar 57 milionë Dollarë për ripyllëzimin. Pasardhësi i tij, Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva, rihapi shpejt Fondin Amazon.

Ministria e Mjedisit për Reuters ka deklaruar se qeveria synon gjithashtu të zgjerojë stimujt ekonomikë dhe ndihmën teknike për ripyllëzimin.

“Ne kemi sfida në terren dhe njëra është operacioni logjistik, e dyta është besimi, sepse ne kemi nevojë për besimin e fermerit, kemi nevojë për besimin e komuniteteve lokale. Dhe tjetra është nevoja që ne duhet të ndërtojmë shumë herë infrastrukturën vetë. Nuk ka energji elektrike, nuk ka urë në hapësirat tona, shumë raste në ferma duhet të bëjmë rrugën tonë për të arritur në zonën e përhershme të ruajtjes për të rivendosur një pjesë të tokës së tyre.”

Ndërkohë, shkatërrimi i Amazonës vazhdon me një ritëm të furishëm. Të dhënat e qeverisë tregojnë se rreth tre fusha futbolli me pyje të virgjër u shkatërruan çdo minutë në vitin 2022. Pushtuesit ilegal shkatërrojnë brenda pak orësh atë që i duhet Rioterra ose Black Jaguar një vit për të mbjellë.

Dhuna dhe kërcënimet ndaj ambientalistëve janë gjithashtu të zakonshme. Mbi 200 vriten çdo vit, sipas grupit mbikëqyrës Global Witness. Në vitin 2021, Brazili renditej në vendin e tretë në listën e Globan Witness me 26 të vrarë.

Rioterra në Brazil, ka mbjellë miliona pemë të reja në pyllin tropikal si pjesë e një përpjekjeje ripyllëzimi për të rivendosur pyjet e shkatërruara nga prerjet e paligjshme dhe fermat në zonë.

Këto projekte, sipas shkencëtarëve, mund të ndihmojnë në ngadalësimin e ngrohjes globale duke bllokuar dioksidin e karbonit në pemët e gjalla. Përpjekje të tilla gjithashtu mund të rivendosin habitatet e kafshëve të egra dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e specieve të kërcënuara. Në Amazonë, të tilla nisma do të ruanin gjithashtu lagështinë atmosferike që rrjedh nga pyjet e shiut.

Por në Brazil, shumë fermerë që kanë nxjerrë jetesën e tyre nga pyjet e shiut kanë frikë se grupet mjedisore duan t’i largojnë ata. Ndërkohë, grupet kanë luftuar për të kultivuar në masë disa pemë vendase. Përmbytjet sezonale, madje edhe zjarrvëniet  janë shqetësime të përhershme.

Kufizimi i ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius – një objektiv i përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit – mund të kërkojë deri në 9.5 milionë kilometra katrorë pyll shtesë për të ndihmuar në arritjen e emetimeve neto zero të gazeve serrë deri në vitin 2050, sipas shkencëtarëve të Kombeve të Bashkuara.

Afërsisht 18% e Amazonës së Amerikës së Jugut është shkatërruar tashmë. Në Gusht 2019, zjarret u rritën në pyjet tropikale të Amazonës. Black Jaguar filloi vitin e kaluar një projekt për të punuar me rreth 600 fermerë të vegjël në Brazil për të rimbjellur rreth 20 kilometra katrorë të tokës së tyre me pemë. Planet parashikojnë që 57% e të ardhurave t’u shkojnë fermerëve si nxitje për të mbajtur pemët në kushte optimalre, me 43% që mbulon kostot e funksionimit.