Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas është zhvilluar ceremonia për pritjen e pasagjerit të 10-miliontë.

E pranishme në këtë aktivitet ka qenë edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo ka deklaruar se arritja e kësaj shifre i ka kaluar të gjitha parashikimet që kanë pasur.

Ajo ka theksuar se aeroporti i Rinasit është porta e parë ku turistët e huaj, njihen me Shqipërinë.

Sakaq, Balluku ka premtuar në vitin 2025 do të punojmë më shumë lidhur me këtë aeroport dhe pritjes së vizitorëve.

“Mirë apo keq unë këtu jam si në shtëpi, pasi kam punuar prej vitesh këtu dhe i shijoj shumë arritjet tona. Nuk ka qenë e lehtë kjo punë e përbashkët. Të presësh sot pasagjerin e 10- miliontë ka qenë e vështirë. Nuk ka qenë e lehtë dhe për ata që na kanë akuzuar në arrati.

Sot janë kaluar të gjitha parashikimet që ne kemi pasur. Këto arritje nuk vijnë as nga qielli, por nga puna jonë e pandërprerë. Përveç se bëhet një e mirë e madhe, nga ana tjetër me rëndësi është se si i presim paragjerët.

Ky vend është edhe porta e parë ku turistët prezantohen me Shqipërinë. Janë 11 milionë e 40 vizitorë të hyrë në vendin tonë, nga këta 10 milionë kanë hyrë nga Rinasi. Kemi vënë një target të ri për vitin 2025, 12 milionë pasagjerë”, – tha ajo.

Në fakt, pasagjeri i 10-miliontë nuk ishte turist, por ishte një shtetas i huaj që vinte në vendin tonë si pjesë e UNDP-së.