Pas frikës dhe disa orë pritje, tashmë ata janë përsëri në ajër, duke fluturuar në drejtim të Athinës. Pasagjerët e një avioni të linjës ajrore greke Aegean Airlines janë frikësuar, teksa janë ulur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, vetëm 15 minuta pasi ishte ngritur në fluturim drejt Athinës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme. Por, me përjashtim të frikës së krijuar, pasagjerët nuk kanë patur asnjë lloj dëmtimi.
Gjasat janë që problemi i raportuar në media nga pasagjerët, se avioni kishte qenë duke flutuar me derë hapur, nuk ishte aspak i vërtetë pasi, nëse do të ishte, pasagjerët nuk do të kishin patur mundësinë ta raportonin atë problem.
Autoritetet në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” kanë njoftuar se ulja është kryer nga vetë piloti, për shkak të ndonjë dyshimi që ai mund të ketë patur. Por, pas kontrollit të kryer, nuk është verifikuar asnjë problem. Para afro 40 minutash, avioni është ngritur përsëri në fluturim për në Athinë.





