TIRANE, 3 qershor 2013 – Telefonata anonime që vuri në alarm Aeroportin e Rinasit mbrëmjen e së enjtes, duke njoftuar për një bombë në avionin e linjës Stamboll-Tiranë, dyshohet të jetë kryer nga një shtetas arab. Celulari i gjetur në bordin e avionit të kompanisë turke “Turkish Airlines” është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe është bërë këqyrja paraprake e tij. Burime nga grupi hetimor thanë se ky celular ka lidhje me alarmin fals për bombë, që shkaktoi ankth e panik për 250 pasagjerët që ndodheshin në avion.
Krimet e Rënda kanë marrë në hetim ngjarjen, që ndodhi mbrëmjen e datës 30 maj në Aeroportin “Nënë Tereza” dhe në bashkëpunim me Antiterrorin kanë nisur një procedim penal, duke e klasifikuar alarmin si një vepër penale me elemente të një akti terrorist, edhe pse nuk rezultoi e vërtetë. Hetimet paraprake që po kryhen në Tiranë, do t’i kalojnë për një bashkëpunim edhe autoriteteve të Stambollit me anë të një letërporosie që pritet të niset së shpejti. Nga verifikimet paraprake rezulton që avioni turk, që transportoi 250 pasagjerë mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, kishte kryer më parë një linjë tjetër. Vetëm disa orë para se të niste fluturimin nga Stambolli në Rinas, i njëjti avion kishte kryer një fluturim tjetër, nga kryeqyteti arab, Riad drejt Stambollit. Kjo shpjegon edhe prezencën e një celulari të “braktisur” poshtë sediljeve, në bordin e këtij avioni. Burime nga grupi hetimor thanë se celulari ishte i programuar në gjuhën arabe dhe çdo tekst i gjetur në telefon ishte arabisht.
Avioni i kompanisë “Turkish Airlines” ishte nisur nga aeroporti “Ataturk” i Stambollit të enjten, datë 30 maj, në orën 19:08 me orën lokale turke, ose 18:08 me orën tonë dhe do të zbriste në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, më orën 19:48. Por për shkak të turbulencave ajrore, të krijuara nga retë e dendura përgjatë gjithë fluturimit, udhëtimi ka zgjatur edhe 30 minuta më shumë nga çfarë ishte parashikuar. Avioni me rreth 250 pasagjerë, turq e shqiptarë, mes të cilëve edhe fëmijë, ka qenë ende në fluturim në orën 20:14 kur është bërë telefonata për bombë në bordin e tij. I duheshin edhe 4 minuta për të zbritur në pistën e Rinasit, por kaq minuta kanë mjaftuar për të shkaktuar pasiguri te pasagjerët. Fatmirësisht alarmi ka rezultuar i rremë, por për disa minuta pasagjerët kanë përjetuar ankth e panik, po ashtu edhe policia e punonjësit e Aeroportit “Nënë Tereza”. Forca të shumta të Policisë së Rinasit, Antiterrorit të Tiranës dhe forcat speciale RENEA brenda pak minutash kanë rrethuar Aeroportin kombëtar.





