Në takimin e përjavshëm të Rotary E-Club Durrës i ftuar special ishte këtë herë arkitekti gjerman Dominik Lengyel, njëherazi anëtar i klubit rotarian të Berlinit.

Arkitekti gjerman ka qenë pjesë e grupit të punës të drejtuar nga arkeologët Eduard Shehi dhe Henner von Hesberg, që pas një angazhimi kërkimor shumëvjeçar dhe një periudhe të gjatë studimore realizuan rikrijimin 3D të amfiteatrit të Durrësit.

Gjatë bashkëbisedimit me anëtarët e dy klubeve rotariane të qytetit bregdetar, arkitekti gjerman bëri të ditur edhe detaje nga projekti që parashikon rikrijimin e amfiteatrit përmes një lojë ndërtimore për fëmijë, në formë pazëlli nga artizanët lokalë dhe veshjeve antike të asaj kohe. Por jo vetëm kaq.

“Do të dëshiroja që autoritetet shqiptare të apasionohen me këtë projekt, njësoj si ne. sepse besoj se ky monument i lashtësisë, ky thesar, është një shenjë e përkatësisë dhe identitetit evropian, të cilit i përkasim të gjithë.

Projekti është gati kërkon vetëm impenjimin e aktorëve lokalë. Ai përfshin ndërtimin e amfiteatrit si një lojë ndërtuese, e përbërë nga 40 copë, pra si një pazell. Njëkohësisht ai konsiston në veshje antike, në mënyrë që fëmijët t’i njohin ato dhe të flasin për to. Gjithashtu parashikon trajnimin e mësuesve të shkollave nga arkeologët dhe njëkohësisht një person që të merret me të gjithë këtë. Nëse të gjitha këto hallka do të ngrihen projekti mund të nisë, sepse nga ana jonë gjithçka është gati”,- tha arkitekti gjerman.

Rindërtimi i amfiteatrit në 3D krijoi për herë të parë mundësinë që jo vetëm komuniteti shkencor, por edhe qytetarët të mund të njiheshin me formën e mundshme, që monumenti i antikitetit ka pasur në vitet dhe shekujt e parë të ekzistencës së tij. Sipas arkitektit gjerman, fakti që monumenti antik u ndërtua i mbështetur në faqen e kodrës, krejt ndryshe nga si u ndërtuan amfiteatrot romakë në Romën antike, e bën këtë monument edhe më unik.

“Nuk ishte ndër monumentet më të mëdha të antikitetit, ishte një prej qindra amfiteatrove. Por ishte ndër të vetmit në pjesën lindore të bregdetit të Adriatikut, ku janë ndërtuar vetëm 4 prej tyre. Askush më parë nuk kishte ndërtuar kundër topografisë. Paraardhësit tuaj ndërtuan kundër topografisë. Duket si çmenduri, pasi askush më parë nuk e ka bërë këtë gjë. Njerëzit që meren me arkitekturën antike duhet të vijnë të shohin sesi ju e realizuat këtë”.

Gjatë takimit, arkitekti gjerman iu përgjigj edhe interesimit të rotarianëve durrsakë lidhur me këtë projekt si dhe i falenderoi për gadishmërinë që shfaqën për ta mbështetur në këtë sipërmarrje.  

M.B.