Presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan kishte një mesazh urimi gjatë ceremonisë që po zhvillohet në Laç për kantierin e ri të ndërtimit. Gjatë një lidhjeje live, Presidenti turk tha se Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan.

“Me rastin e kësaj ceremonie ndjej një kënaqësi të madhe që jam me ju dhe nëpërmjet jush përshëndes gjithë Shqipërinë dhe vëllezërit shqiptarë. Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan. Ne shohim gëzimin e popullit shqiptar si gëzimin tonë dhe pikëllimin e popullit shqiptar si pikëllimin tonë”, tha Erdogan.

Erdogan u shpreh se pas tërmetit të 21 shtatorit dhe atij të 26 nëntorit, Turqia ka mobilizuar menjëherë mundësitë e saj. Nga memorandumi i nënshkruar në Korrik të këtij viti është vendosur që qeveria turke të ndërtojë mbi 500 banesa. Erdogan bëri të ditur shifrën e këtij projekti dhe tha se do të kushtojë 42 milionë euro.

“Pas tërmeteve që ndodhën në Shqipëri më 21 Shtator dhe 26 Nëntor, i mobilizuam menjëherë mundësitë tona. Pas tërmetit të Shtatorit, ne kemi dërgua 4 maune me ndihma humanitare. Po ashtu, pas katastrofës së tërmetit në Nëntor, krahas ndihmave të tjera ne morën vendimin të ndërtojmë shtëpi për vëllezërit tanë shqiptarë. Pavarësisht pandemisë në Korrik nënshkruam protokollin e memorandumit dhe filluam punimet.  Ndërsa sot po realizojmë ceremoninë e hedhjes së themeleve për këto banesa që do të shndërrohen në një strehë të ngrohtë për të gjithë vëllezërit tanë shqiptarë. Shpresoj që ky projekt që përfshin 522 banesa dhe që do të kushtojë afërsisht 42 milion euro të jetë i dobishëm”, tha Erdogan.

Më tej Erdogan shtoi se, “Këto shtëpi do të shërbejnë si një shenjë e re e miqësisë Turqi-Shqipëri. Shpresojmë që fazën e parë ta përfundojmë sa më shpejt, që t’ua dorëzojmë sa më shpejt vëllezërve tanë që kanë humbur banesat e tyre nga tërmeti”.