Lagjja “Lugina” në Shijak, një nga zonat më të dëmtuara në të gjithë vendin nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019, i nënshtrohet sot procesit të demolimit për t’i hapur rrugë kështu më pas fazës së rindërtimit.
Kreu i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, në një komunikim me “DurrësLajm”, bën me dije se në këtë lagje janë 18 pallate që janë shpallur nga grupi i ekspertëve të vlerësimit të banesave, me rrezikshmëri të lartë qëndrimi dhe banimi në to.
Sot rreth mesditës nis procesi i shembjes, i cili do të vazhdojë edhe përgjatë ditëve në vijim nga ana e IKMT-së që merret me demolimin.
Deri më tani është shembur një objekt arsimor, konkretisht gjimnazi “16 Shtatori” në Shijak, ndërsa dy godinat arsimore që do t’i nënshtrohen shembjes në vazhdim janë shkolla 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” dhe shkolla e mesme “Kajo Karafili” në Maminas, sqaron kryebashkiaku Arbana.
Po kur parashikohet të nisë procesi i rindërtimit?
Arbana deklaron se ky proces bëhet në bazë të aktit normativ dhe njësi zbatimi është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, e jo bashkia e Shijakut.
“Menjëherë sapo të përfundojë procesi i shembjes dhe pastrimi i zonave nga inertet, do të nisë faza e rindërtimit”.
Ndërkohë, nga ana e bashkisë procesi për verifikimin e dosjeve të familjeve aplikuese për përfitim të banesave të reja ka mbaruar më 12 mars.
“Aktualisht jemi në pritje të përgjigjes së ASHK-së, nëse këto familje kanë prona të dyta apo të treta në zonën e shpallur të prekur nga fatkeqësia natyrore”.
Numri total i familjeve që kanë aplikuar për banesa të reja është rreth 2900, ndërsa janë vlerësuar mbi 3400 dosje. Ndërkohë vazhdon dhe likuidimi i bonusit të qirasë për të gjitha familjet që janë shpërngulur në banesa me qira.
“Likuidimi vazhdon rregullisht, dje kemi bërë dhe pagesën e muajit prill. Mund të them që Bashkia e Shijakut është një nga më mirat për sa i përket likudimit të bonusit të qirasë dhe të verifikimit të dosjeve.
E gjithë bashkia ka bërë të procedure të rregullt ligjore, ndaj dhe kjo është arsyeja që kemi filluar me një javë vonesë procesin e shembjes. Kemi filluar me etapën e parë që është akt vlerësimi nga Instituti i Ndërtimit, është kaluar më tej në Këshill Bashkiak për miratim; më pas është miratuar dhe nga ana e ligjshmërisë nga ana e prefektit. Dhe në etapën e fundit është marrë dhe përgjigja nga Prokuroria e Durrësit nëse godinat që do të shemben janë ende objekt hetimi apo jo”.
S.L.





