Kryeministri Edi Rama paralajmëron se shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” në Durrës është institucioni i parë arsimor drejt përfundimit të rindërtimit. Sipas kreut të qeverisë, fëmijët dhe mësuesit do të rikthehen në një godinë të re, ndryshe nga godina e amortizuar, e ndërtuar që në gusht të vitit 1937
“SHKOLLA E PARË DREJT PËRFUNDIMIT në një album nga ëndrra 3D në realizim, pa harruar gërmadhat mbi të cilat po rilind, më e madhe, më e bukur dhe më e fortë natyrisht
Fëmijët dhë mësuesit e nëntëvjeçares “Shaqe Mazreku” në Durrës, do të rikthehen së shpejti në oborrin e tyre, ku në vend të ngrehinës së vjetër e të amortizuar, ndërtuar qysh prej gushtit të vitit 1937, do të gjejnë një mjedis shkollor si në çdo vend të Europës”,– shkruan Rama, ndërsa e shoqëron postimin e tij me foto nga procesi i Rindërtimit.
Dhe si për të treguar angazhimin e tij me përfundimin në një kohë rekord të shkollave të Durrësit që po ngrihen nga themelet, Rama ka publikuar foto edhe nga punimet që po realizohen në shkollën 9-vjeçare “Hasan Koçi” në Shkozet, e cila pritet të hapë dyert më 26 nëntor.
“Shkolla 9- vjeçare “Hasan Koçi” në Durrës, do të rihapë dyert në 26 nëntor, e rilindur nga gërmadhat dhe me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave Europiane
143 SHKOLLA TË REJA me standarde europiane, të gjitha gati brenda vitit 2021, në vend të godinave të sojsojshme të goditura nga fatkeqësia e fundvitit 2019, janë një përgjigje kuptimplotë në emër të #ShqipërisëqëDuam”,- shkruan kryeministri.





