Viti i ri arsimor e gjen bashkinë Durrës me një numër të konsiderueshëm shkollash ende të parindërtuara.
Në kuadër të programit EU4School, në bashkinë Durrës janë gjithsej 20 objekte arsimore që do të rikonstruktohen apo rindërtohen, por vetëm 5 prej tyre kanë përfunduar tashmë.
Në një komunikim zyrtar që “DurrësLajm” pati me përfaqësuesen e UNDP, Nora Kushti, mësuam se gjimnazet “Gjergj Kastrioti” dhe “Naim Frashëri” si dhe shkolla e mesme e mjeshtërisë sportive “Bernardina Qeraxhia”dhe konvikti i saj do të tenderohen brenda muajit gusht.
Ndërsa 8 objekte të tjera arsimore janë në fazat finale të projektimit teknik dhe/ose aprovimit nga Instituti i Ndërtimit, bën të ditur Kushti.
Për të tretin vit radhazi, qindra nxënës të Durrësit do të zhvillojnë mësimin pasdite në shkollat pritëse.
“DurrësLajm” pa nga afër kantierin e ndërtimit të shkollës së mesme “Olsi Lasko” në Shkozet, një nga dy institucionet arsimore që janë në proces rindërtimi. Punimet aty kanë nisur në muajin qershor të këtij viti.
Në kantier punohej me ritme shumë të ulta dhe premisat janë që godina të mos arrijë të përfundohet në kohë, pasi deri tani nuk është ngritur as kati i parë. Punimet parashikohet të përfundojnë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë në shkollën 9-vjeçare “Eftali Koçi” punimet janë ndërprerë që në muajin prill të këtij viti, pas daljes në dritë të zbulimit të rëndësishëm arkeologjik 2400-vjeçar.
UNDP është duke punuar për hartimin e një projekti të ri për shkollën, gjurma e së cilës do të spostohet. Për këtë arsye, procesi i ndërtimit të kësaj shkolle do të shtyhet në kohë.
Duke iu referuar përgjigjes zyrtare të UNDP-së, procesi i rindërtimit të objekteve arsimore në bashkinë Durrës pritet të përfundojë brenda vitit 2023.
M.B.