Kostoja e rindërtimit të Sirisë, pas një lufte 13-vjeçare që shkatërroi infrastrukturën e vendit, mund të tejkalojë 216 miliardë dollarë, sipas një raporti të publikuar sot nga Banka Botërore.
“Ndërsa sfidat që na presin janë të mëdha, Banka Botërore është e gatshme të punojë përkrah popullit sirian dhe komunitetit ndërkombëtar për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin,” deklaroi Jean-Claude Carret, drejtor i Departamentit për Lindjen e Mesme në Bankën Botërore.
Sipas raportit, kostot e rindërtimit vlerësohen në mbi 216 miliardë dollarë amerikanë (186 miliardë euro) pas më shumë se 13 viteve konflikti, që ka shkatërruar ekonominë siriane, me rënien e PBB-së reale me gati 53% mes viteve 2010 dhe 2022.
Rindërtimi përbën një nga sfidat më të mëdha për udhëheqësit e rinj islamikë të Sirisë, të cilët morën pushtetin në dhjetor 2024 pas rrëzimit të Bashar al-Assad.
Qeveria e re po mbështetet kryesisht tek monarkitë e pasura të Gjirit për të rikthyer infrastrukturën dhe tashmë ka nënshkruar marrëveshje investimi me disa vende të rajonit, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin dhe Turqinë.
Shtypja brutale e një kryengritjeje popullore nga Assad në vitin 2011 u shndërrua në një luftë civile që shkaktoi mbi gjysmë milioni viktima, copëzoi vendin dhe la miliona njerëz të zhvendosur ose refugjatë.
Rajonet më të goditura nga shkatërrimet janë zona e Aleppos në veri, provinca e Damaskut dhe ajo e Homsit në qendër të vendit, sipas raportit.
“Ndër kategoritë e vlerësuara, infrastruktura është prekur më rëndë, duke përfaqësuar 48% të dëmeve totale (52 miliardë dollarë amerikanë), e ndjekur nga ndërtesat banesore (33 miliardë dollarë) dhe ndërtimet jobanesore (23 miliardë dollarë),” thekson raporti.
Banka Botërore vlerëson se kostoja e rindërtimit është dhjetëfish më e lartë se Prodhimi i Brendshëm Bruto i parashikuar i Sirisë për vitin 2024.
Ministri i Financave të Sirisë, deklaratat e të cilit përfshihen në raport, e cilësoi këtë si një bazë të rëndësishme për të vlerësuar përmasat e shkatërrimeve masive dhe të kostos së rindërtimit që na pret.
“Sot, më shumë se kurrë, është jetike që komuniteti ndërkombëtar të mobilizojë mbështetjen dhe partnerët e tij për të ndihmuar Sirinë”, shtoi ministri, i cili mori pjesë javën e kaluar në Uashington në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore.





