Më shumë se 5 vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, që shkaktoi dëme kolosale në Durrës, procesi i rindërtimit ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare.
Kjo u vu re edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Durrës, ku pikat e rendit të ditës që lidheshin me procesin e rindërtimit u shoqëruan me debate dhe diskutime mes këshilltarëve të opozitës dhe maxhorancës.
Ndryshimet në listat e përfituesve nga procesi i rindërtimit që u propozuan nga bashkia dhe komisioni i Rregullores dhe çështjeve juridike u miratuan vetëm me 27 votat e maxhorancës, ndërkohë që këshilltarët e opozitës votuan kundër.
Nga këto ndryshime mund të përfitojnë për të marrë apartament, të gjithë ata qytetarë që deri më tani për arsye të ndryshme nuk kanë aplikuar, si dhe ata që kanë 2 banesa në qarqe të ndryshme.
Këshilltarët e djathtë vlerësuan faktin që maxhoranca dhe bashkia kishin reflektuar pas shqetësimeve të ngritura prej tyre në mbledhjen e kaluar të KB-së, por këmbëngulën që nga përfitimi i një apartamenti të mos përjashtohen qytetarët që kanë dy banesa brenda qarkut të Durrësit.
Ardian Muka: “Është diçka që ne e kemi ngritur edhe në mbledhjen e mëparshme dhe na vjen mirë që pjesa e pozitës ka reflektuar për atë çfarë ne kemi thënë”.
Dritan Burgija: “Biem dakort me ndryshimet që ju kërkoni, por nuk biem dakort me përjashtimet që u bëni këtyre banorëve”.
Joni Myshketa: “Në vazhdën e pikës nr.4 dhe nr.5 unë jam dakort që të ndryshohet, por të gjithë ata banorë për shkak të mos aplikimit të rikualifikohen dhe të bëhet aplikimi sepse humbin banesat.”
Qëndrimi më ekstrem në mbledhje ishte ai i këshilltares Flutura Kasa, e cila deklaroi se ata që kanë dy banesa në Durrës dhe janë prekur nga tërmeti “le t’i japin forca vetes dhe ta blejnë prapë!”
E ndërsa qindra familje në Durrës prej marsit të vitit 2023 nuk trajtohen më me bonus qiraje, kalvari i tyre për t’u futur në shtëpitë e reja vazhdon ende. Pavarësisht premtimeve të kryeministrit Rama dhe shorteve publikë të zhvilluar në gusht dhe shtator të vitit të kaluar, siti i ri me 996 apartamente në Spitallë vijon të jetë i pabanuar. Në fund të këtij muaji, qytetarët që i janë nënshtruar shorteut mund të marrin çelësat e apartamenteve, por për t’u futur në shtëpitë e reja duhet ende kohë.
“Nuk i kanë marrë ende çelësat se janë në fazë të përfundimit të punimeve. Shpresojmë brenda qershorit të bëjmë shpërndarjen”,– tha nënkryetari i bashkisë Gentian Kallmi.
M.B.





