E largët duket drita jeshile për përfundimin e procesit të rindërtimit në Durrës.

2024 nuk do të jetë aspak viti kur ky proces do të quhet i përfunduar, madje procesi do të vijojë edhe përgjatë viteve 2025-2026.

Këtë na lënë të kuptojmë shpenzimet e planifikuara nga bashkia Durrës në vitet 2024-2026 për të realizuar riforcimin e pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti.

Ashtu siç ka paralajmëruar edhe më parë, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, një pjesë e pallateve të dëmtuara do të riparohen me fondet e bashkisë.

Duke iu referuar pasqyrave buxhetore të shpenzimeve për vitet 2024-2026, “DurrësLajm” po rendit pallatet ku është planifikuar ndërhyrja dhe vitet, kur do të realizohen punimet.

1. Riaftësim strukturor i Pallatit nr 15, Rruga Abaz Celkupa 15, Rajoni 3, Kod  GIS 24795 (viti 2024-2025)

2.Riaftësim strukturor i Pallatit nr 8 dhe nr 10 , Rruga “Pelikan” , Kod  GIS 5709-5711  (viti 2024-2025)

3.Riaftësim strukturor i Pallatit “Rajfi”shpk, Rruga ” Iljaz Reka”, Kod  GIS 26380 (viti 2025-2026)

4.Riaftësim strukturor i Pallatit Big Kristi , Durres, Rruga “Neki Libohova” , Durres nr.62, Kod  GIS 5058 (viti 2025-2026)

5.Riaftësim strukturor i Pallatit  nr.1047 (ARVI),RRUGA  “Taulantia”  Kod  GIS 27498 (viti 2025-2026)

6.Riaftësim strukturor i Pallatit nr.5, Rruga Adria , Kod  GIS 25960 (viti 2025-2026)

Bashkia Durrës ka menduar gjithashtu një fond të veçantë për “Prishje dhe evadimi i mbetjeve në kuadër të Rindërtimit”, zë në buxhet që kap vlerën 20 milionë lekë.

Një shqetësim i ngritur shpeshherë nga banorët e pallateve ku procesi i rindërtimit ka përfunduar, por ashensori nuk është funksional mesa duket do të gjejë zgjidhje. Bashkia Durrës ka planifikuar të shpenzojë rreth 30 milionë lekë për zërin “Furnizim vendosje ashensori në ambientjet me bashkëpronësi dhe certifikim”, investim ky që do të shtrihet në dy vite, 2024-2025.

Në total, përgjatë 3 viteve (2024-2026) bashkia Durrës planifikon të shpenzojë 878,645,716 milionë lekë për procesin e Rindërtimit.

E ndërsa 2500 familjet që figurojnë ende në listat e subvencionimit të qirasë prisnin që qeveria Rama të hapte thesin për t’u dhënë qiratë e prapambetura, kjo gjë nuk ndodhi në fund të vitit 2023 dhe me shumë gjasa nuk do të ndodhë as gjatë këtij viti ku sapo kemi hyrë.

As bashkia duket se s’do ta marrrë përsipër shlyerjen e qirasë për të pastrehët e tërmetit, pasi fondi që do të nevojitej çdo muaj nuk mund të përballohet me fondet e pushtetit lokal.

Muaji i fundit i qirasë që morën 2500 familjet e pastreha nga buxheti i shtetit ishte prilli i vitit 2023.

Pas zhvillimit me sukses të zgjedhjeve lokale të 14 majit, qeveria Rama nuk kaloi më për miratim asnjë VKM, që lidhej me subvencionimin e qirasë për familjet e pastreha të tërmetit.

M.B.