25 maj 2015 – Këto ditë pranë shëtitores ‘Taulantia’ në Durrës ka përfunduar rikonstruksioni i vilës 2-katëshe të familjes Harizi, e vetmja shtëpi që ka arritur t’i shpëtojë “urisë” së supergodinave që janë ngritur përballë detit. Blerësi i saj ka preferuar ta rindërtojë banesën, duke i kthyer pamjen e disa dekadave më parë, kur ajo ishte pjesë e një kompleksi vilash në rrugën bregdetare.
Vila është ndërtuar në fund të viteve 1930 dhe pas amortizimit të skajshëm të kohëve të fundit është restauruar plot elegancë dhe finesë. Lajmi është pritur mjaft mirë nga qytetarët e moshuar dhe nga të gjithë ata që e vlerësojnë të bukurën dhe traditën ndërtimore.
Në këtë shtëpi në vitet ‘80 jetoi Artisti i Popullit, Nikolin Xhoja (12 maj 1926 – 27 tetor 1987), aktor i shquar i skenës shqiptare dhe asaj të Durrësit në veçanti. Aktualisht në shëtitoren ‘Taulantia’ nga vitet 1990 kanë “shpëtuar” edhe godina ku u strehua Muzeu Arkeologjik i qytetit dhe godina e hotelit “Vollga” (Iliria), e ardhmja e të cilave nuk dihet ende.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/