DURRES, 26 prill 2013 – Në një nga akset rrugore më të frekuentuara të qytetit të Durrësit, shumë pranë muzeut arkeologjik dhe shkollës 9 vjeçare “Vinçens Prendushi” ekziston prej vitesh një minikënetë, që për ironi të fatit të kujton ish simotrën e saj në periferi të qytetit bregdetar.

Gropa e themeleve të një pallati, që nisi të ndërtohej, punimet e të cilit më pas u ndërprenë, është kthyer në habitat zoologjik, ku kori i bretkosave të shoqëron në çdo orë të ditës.

Gropa të ngjan me moçalishtet e dikurshme dhe dhjetëra kanale të ujërave të zeza dhe të larta të mbuluar nga kallamishtet dhe mbeturinat urbane.

Uji i ndjenjur, që mbulon prej shumë kohe themelet e pallatit, është kthyer në shqetësim kryesor për banorët e lagjes nr.1 dhe qytetarët durrsakë që e frekuentojnë këtë zonë. Mbeturinat e shumta të grumbulluara në të janë bërë vatër për grumbullimin e insekteve, të cilat me rritjen e temperaturave të këtyre ditëve janë shtuar së tepërmi.

“Këneta” e improvizuar ndodhet në anën e djathtë të rrugës që të çon drejt Currilave, shumë pranë lokaleve të shumta që kanë betonizuar shëtitoren Taulantia.

Në pamundësi për t’i ofruar turistëve të huaj vizita në Muzeun Arkeologjik, i cili tashmë prej gati dy vjetësh qëndron i mbyllur në pritje të rikonstruksionit të pambarimtë, mesa duket strukturat përkatëse kanë menduar t’u ofrojnë të huajve një “sinfoni” bretkosash, një”ekskluzivitet” ky që mungon në qytetet turistike.    

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/