Nga Prof. Dr. Anesti Çikopano
15 janar 2015 – Arrestimi i nipit të Enver Hoxhës, Ermal Hoxha nga prokuroria e Krimeve të Rënda me 100 kg drogë është një lajm që do të zërë një tjetër rubrikë të familjes Hoxha në mediat tona. Nuk ka ditë të perëndisë që shokë, bodiguardë, sekretarë, nuse dhe gruaja e Enver Hoxhës të mos kenë hapësirën e tyre në mediat shqiptare. Familja Hoxha është bërë telenovela e historisë moderne shqiptare. E gjithë ndërmarrja me emër Enver Hoxha është në ditë e natë në punë për të ndriçuar bëmat dhe thagmat e ish-diktatorit Hoxha. Dy faqet e përditshme me kujtime të Xhelil Gjonit do të pasonin me një replikë të Nexhmije Hoxhës si, për të thënë që Familja është akoma këtu për të ruajtur figurën e komandantit lexhendar. Gënjeshtare, e pasinqertë dhe pa nivel. Ky është përkufizimi kuptimplotë i asaj që përfaqëson Nexhmije Hoxha, kur del nëpër intervista pa brejtje ndërgjegje, pa kërkuar ndjesë për krimet kundër njerëzimit që ajo dhe i shoqi i saj, u shkaktuan shqiptarëve. Ajo ndjen trishtim për humbjen e sundimit, por jo pendesë për krimet, përkundrazi thellon më tej plagët e fyerjeve ndaj viktimave të komunistëve. Fjalët e gruas së diktatorit jakobin dhe bashkëpunëtorëve të tyre janë si radhët e shumtë të platformës së materializimit vulgar, që përjashton shpirtëroren nga domeni publik, duke e zëvendësuar atë me kulte individësh të papërgjegjshëm, gjakatarë. Agresioni mediatik i modeles luciferine është kapilar, i përditshëm, sipas formës dhe përmbajtjes komuniste, gënjej dhe manipulo, edhe kur është ashiqare e kundërta. Dalja në media e Nexhmijes, Vito Kapos e gjithfarësoj mbeturinash komuniste si Xhelil Gjoni, etj, është një formë kurvërimi i kujtesës, një përçudnim i dhimbjes dhe vuajtjes së ish të përndjekurve e atyre që kanë shkuar në një botë më të mirë.
Sidoqoftë me këto dalje të fundit të bashkëpunëtorëve të Enver Hoxhës, ashtu siç kanë bërë me gjithë librat e tyre të gënjeshtërt, kanë prerë biletën për në ferr, ku me siguri do të gjejnë të gjithë anëtarët e byrosë që janë mbledhur në takim nga Enveri për të gjetur armiq edhe aty. Edhe pse ata s’besojnë në botën e përtejme, dënimi i tyre do të jetë fiks ashtu siç ndodh në Ferrin e Dantes, ku njerëzit mëkatarë dënohen më të kundërtën. Nëse mohon ferrin, atje do të përfundosh. Sepse hileja më e madhe që ka bërë djalli ndonjëherë është të bindë botën se ai nuk ekziston…





