Nga BUJAR QESJA

Vladimir Ajazi pavarësisht së vendlindja është në Kukës, mbetet një djalë Durrësi. Ai është shumë i njohur, ashtu sikundër çdo futbollisti, sportëdashësit i ofrojnë mbështetje dhe i krijojnë popullaritet.

Një djalë i gjatë, mjaft simpatik, me një hap të zgjatur dhe të shpejtë lëviz lirshëm në rrugët e qytetit. Të gjithë e njohin dhe e respektojnë. Pati fatin e madh, që pa mbushur 15 vjeç, ishte nga të parët së bashku me Agim Bulku dhe Edmond Zallën që rregjistrohen në shkollën e mjeshtrisë sportive në Tiranë, dega e futbollit. Janë historik që të tre, pasi këta përfaqësonin Durrësin, në fillimin e një rruge të re të futbollit shqiptar. Më pas mbaruan edhe studimet e larta, duke përfaqësuar “Shkëndijën” e famshme të Tiranës, me ideator të paharruarin Zyber Konçi.

Që në këtë moshë, ky Ajaz do të bëhej i njohur. Ëndrrimtarët, e shikonin atë si një shpresë për ardhmërinë e futbollit durrsak dhe ashtu qe vërtet. Natyrë energjike, ekspresiv, komunikues, i pakonkuruar në mbrojtjen e ngjyrave lokale të “Lokomotivës”, Lad Ajazi u bë shumë popullor. Një brez adoleshentësh filluan ta imitojnë dhe ta kenë idhullin e tyre. Ajazi kthehet në Durrës në mesin e viteve 70-të dhe së bashku me Naim Dollakun mbrojtën portën e “Lokomotivës”. Një brez i artë i futbollit durrsak me Toçin, Çelën, Janin, Kapidanin, Nicën, Likmetën, Ristanin, Filjarin, Leshtenin, Himën, H. Ballgjinin, Mihan, Kokën etj. përfaqësonte me shumë personalitet ngjyrat e qytetit. Dhe Ajazi ishte pjesë e tyre.

Vladimir Ajazi një krenari qytetare. Ka dhënë shumë. Portjer si ai, kuadër si ai, intelektual si ai, specialist futbolli si ai, trajner si ai, mik dhe shok si ai, nuk është e lehtë ti kesh. I gjindshëm, aktiv, i aftë dhe me një origjinalitet të theksuar në të folur, mbetet gjithnjë ky Vladimir Ajazi ynë.

Në brezin e tij, është ndër më të spikaturit. Detyrat që ka patur, duke mbetur besnik i plotësimit të tyre, e kanë prezantuar Ladin pjesë mbështetëse të qytetarisë durrsake. Ai është i pari, duke përkrahur organizimet dhe takimet e herpashershme të brezit të vjetër të futbollit durrsak. Hokatar, me një humor për t’ia patur zili, i kanë dhënë shanse Vladimir Ajazit të mbetet kripa e shoqërisë.

Kur ishte me frymë një nga miqtë tanë Zan Kokomani, i cili nuk jeton më si pasojë e këtij covidi lemeritës, na kishte ftuar për drekë në lokalin e tij tërheqës në Golem. Teksa trokitnim gotat, vura re se Ladi ishte i rezervuar dhe më tha:

-Mos më shiko se s’po e shijoj verën. Kam probleme me prostatën. Besoj se do të më kaloj.

Kjo dukuri para pak vitesh. Një ditë e pata pyetur këtë mik të kahkohshëm, si ndjehet.

Ma ktheu:

-S’po më lë rehat. Por besoj, se e vështira do të dobësohet. Kam filluar kurat në Itali dhe e kanë ata në kontroll.

Kur ra pandemia, e shikova një ditë të mërzitur. Arsyeja ishte fare e thjeshtë. Mbyllja e rrugëve, e kishte detyruar Ladin, të qëndronte një kohë jo të shkurtër pa asistencën e mjeksisë italiane.

-Mezi pres të hapen rrugët. E dua me deomos konsulencën.

E kam ndjekur disi në distancë, shëndetin e Lad Ajazit. Mësova se kishte ikur në Itali. Ishte shtruar në një spital specifik në Milano. Ajazi i është nënshtruar një operacioni delikat në zonën e prostatës. Situata duket më e vështirë sa mendohej. Kurajo i Ajazit tonë i ka kaluar kufijtë. Pas një kohe të gjatë qendrimi në Milano, duke iu nënshtruar edhe terapive itensive specifike, Ladi ka pak ditë që është rikthyer në Durrës. Trajtimi aktiv dhe pse jo edhe i fuqishëm terapik, i ka krijuar ngarkesë në sistemin muskulor të këmbëve. Detyrimisht në këto kushte lëvizjet e tij do të jenë me një karrocë.

Nuk mund ta besoja që fiziku i fuqishëm i Vladimir Ajazit, të strehohet për momentin në sipërfaqen e një karroce, që e shoqëronte me një fuqi të lehtë fizike, i biri Iliri.

Sapo e pashë, më takonte ti thoja duke ndarë habinë së bashku me mikun tim:

-Çou Ajaz prej andej! Ringriu edhe njëherë si në një kohë. Duam të të shikojmë si gjithnjë, duke lëvizur plot forcë dhe energji, duke përshëndetur me shumë ngrohtësi durrsakët e t’u, të cilët të duan në përmasat e shpirtit.

Ma bëri qejfin. Kishte brenda shpengimit, dritë të optimizmit, që të ndihmuar edhe nga shkëlqimi i këtij dielli të fortë tetori, m’u bë sikur u ndez një pishtar gjigand, me energji të marrë nga mbijetësa e Vladimir Ajazit.

-Kam besim se do të ringrihem. E di fort mirë, që jam herët për karrocë. Nuk dorëzohem miku im jo! Jemi Ajazë të fortë ne!

Bëra një foto, me qëllimin e mirë për t’i thënë një ditë, se vërtet u ringrite. Bëra një foto me dëshirën e mirë, për të treguar se forca njerëzore nuk mundet lehtë dhe aq më shumë ajo e Vladimir Ajazit.

Ti do të ringrehesh Ladi dhe ne do të jemi përsëri në miqësinë e njëri tjetrit!

Kam besim për këtë.

Çohu Lad Ajazi, ajo karrocë nuk është për ty!