Nga Afrim Krasniqi

Ambasadori amerikan Donald Lu pak ditë më parë citoi si rast suksesi të reagimit shoqëror nismat studentore në Kirgistan kundër korrupsionit. Referimi i largët nga Shqipëria ishte edhe një ftesë për reagim. Ai vlerësoi pozitivisht nga protestat simbolike studentore në Tiranë, kryesisht tek FSHS, dhe paralajmëroi se reagimi i mundshëm studentor “do të sjellë ndryshimin e mentalitetit të korrupsionit, kjo do të sjellë fundin e korrupsionit”.

Shpresa e ambasadorit se studentët, pjesa vitale por edhe më e informuar e rinisë, mund të japin shtysën e reagimit civil kundër korrupsionit dhe fenomeneve të keqqeverisjes ka një bazë historike në Shqipëri. Që në vitet ‘20 grupet rinore ishin forca e vetme civile reaguese, atëkohë nën emrin e shoqërisë "Bashkimi". Protesta rinore u shënuan disa herë gjatë viteve ‘30 dhe madje reagimi rinor detyroi regjimin pushtues italian të çlirojë flamurin tonë kombëtar nga simbolet fashiste. Më 1990 lëvizja studentore doli e vetme kundër regjimit dhe ia arriti të ndryshojë sistemin politik dhe qeverisës. Më 1991 studentët, përmes grevës së urisë, rrëzuan nga simbolika shtetërore figurën e diktatorit dhe krijuan një standard elitar për dekomunizimin e shoqërisë. Më 1997 studentët u bënë lajm dite në Vlorë e Tiranë, më 1998 protesta e tyre solli paktin politik midis mazhorancës dhe opozitës për Luftën e Kosovës. Gjatë viteve 2003-2004 lëvizjet rinore u bënë headline në media me aksionet e tyre antikorrupsion, kurse në vjeshtën e vitit 2013 një lëvizje e tillë ia doli të imponojë dorëheqjen e qeverisë nga projektet mbi shkatërrimin e armëve kimike.

Midis këtyre akteve rinore e studentore ka dallime të shumta që lidhen me kohën, vendin, ngjarjet, qëllimet dhe produktin, por në secili rast ata ia arritën të imponojnë ndryshime në axhendat politike. Kjo është një tendencë klasike, mjafton të kujtojmë lëvizjet studentore në fundin e viteve ‘60 në shumicën e vendeve evropiane, apo protestat studentore më 1981 e 1997 në Kosovë. Kur në dhjetor 2015 analizonim tranzicionin një profesor gjerman deklaroi se ndjehej xheloz pozitiv kur kujtonte ndryshimin e madh që sollën studentët më 1990 ndërkohë që në vendin e tij, në Gjermaninë Lindore ata kishin qenë pasiv dhe pa rol në rënien e sistemit. Ai mendonte se ndryshimi ’90 në Shqipëri erdhi nga pjesa më e emancipuar e rinisë, njëherësh pjesa më evropiane dhe idealiste në shoqëri, por me keqardhje theksoi se pas 25 vitesh shumë prej aspiratave të asaj periudhe u lanë në hije nga zhgënjimet, korrupsioni, modeli autoritarist dhe mungesa e vizionit të elitës së re politike të majtë e të djathtë.

25 vjet pas vendosjes së pluralizmit, ai nuk është më i mjaftueshëm. Duhet diçka më shumë se pluralizëm, duhet shpresë, besim, vullnet, vizion, kurajë, qytetari dhe sens përgjegjësie. Shqipëria mund të  konsiderojë veten me fat se sot, ka numrin më të madh të studentëve në historinë tonë, ka rini që jeton me tendencat e reja komunikuese, merr informacionet më të fundit, përçon modën dhe ka të gjithë hapësirën dhe mjetet të mendojnë lirshëm, të veprojë lirshëm. Në studime sociologjike shpesh theksohet se ky brez i ri, kaq liberal dhe i hapur, vuan nga sindroma e mungesës së nervit për reagim, nga ndjenja e konformizmit dhe nga prirja për t’iu larguar përgjegjësive sociale. Janë vlerësime kritike, por fatkeqësisht, edhe reale. Në 100 të rinj të sotëm gjysma e tyre mund të kenë informacione të sakta për albumet e reja muzikore, filmat e Hollywood apo lajmet mbi Kardashianët, por rrallë e më rrallë gjejmë të rinj që kanë lexuar, p.sh, Kushtetutën e Shqipërisë, që kanë marrë pjesë në një nismë qytetare, apo që kanë një mendim të qartë mbi problemet e vendit. Këshilla të lexojnë libra, të kalojnë më shumë kohë në biblioteka sesa në kafe, të harxhojnë më shumë para për kurse profesionale apo gjuhë të huaja sesa për blerjen e telefonit të fundit, shpreh quhen demode, tendenca dominuese është rendja pas imitimit, karriera përmes ndihmës së prinderve, sigurimi formal i diplomës, dhe rëndja pas një jete virtuale dhe horizontale.

A mund të ndryshojnë diçka të rinjtë? Natyrisht që po. Le të japim një shembull ilustrues dhe emergjent. Këto ditë pritet të shpallen zgjedhjet e radhës në Universitetet publike. Në vende të tjera ish komuniste, si Poloni, Rumani, Kroaci madje edhe në Kosovë, më shumë se 8-10 organizata studentore konkurrojnë seriozisht me individë e platforma për vende në senat. Ato kanë programe, kanë mbështetës, bëjnë fushatë, mbrojnë me fanatizëm të drejtat studentore, janë një garanci për një sistem të balancuar e demokratik drejtimi akademik, dhe ndihmojnë kështu në formësimin edhe të kulturës politike. Në Shqipëri ka ndodhur dhe po ndodh e kundërta. Përveç ndonjë organizate simbolike, amorfe apo organizimi partiak tek studentët, nuk ka asnjë organizatë të vetme efektive dhe sindikale. Vendet e tyre në senate plotësohen nga persona kryesisht të emëruar apo para-përzgjedhur, me kriterin, – të jenë vota pro sa herë kërkohet vota e tyre. Kjo praktikë e formalizmit në përfaqësim dhe angazhimi ka qenë, është dhe rrezikon të mbetet i tillë edhe në të ardhmen. Fakti se vetë studentët nuk reaguan kur ligji i ri i arsimit, në draftin e parë i përjashtoi studentët nga votimet dhe vendimmarrja në universitete, paralajmëron pafuqi dhe padije të tyre ndaj përgjegjësive dhe sfidave afatgjata. Për pasojë, 10% e pjesës universitare (staf akademik e teknik) do konkurrojnë e votojnë mes tyre dhe do marrin vendime për gjithçka, kurse 90%-i studentor është direkt (nga ligji) ose indirekt (nga mungesa e organizimit të tyre) i papërfaqësuar dhe jashtë vendimmarrjes.

Përgjatë viteve të fundit një numër nismash nga ambasada e instucione perëndimore kanë nxitur nevojën për organizimin studentor, ndërgjegjësimin e tyre për rolin dhe përgjegjësitë. Shumica e tyre kanë pasur sukses afatshkurtër, sa kohë zgjasin projektet financuese. Më pas, gjithçka nis nga niveli zero. Rezultati? Studentët vijojnë të jenë pa përfaqësim dhe pa zë për problemet e tyre. E njëjta ndodh me gjimnazet, me shkollat e tjera të mesme, me shkollat 9 vjeçare dhe me çdo komunitet tjetër rinor. Kudo emërohen përfaqësues, dhe rinia de facto mbetet pa përfaqësim. Edhe në rastet kur ndonjë strukturë bëhet aktive, fokusi i tyre është sesi të sigurojnë privilegje, të bëjnë ture turistike, të bëjnë party, pra të bëjnë gjënë e fundit në 10 prioritetet dhe përgjegjësitë që duhet të kenë. Në këtë mënyrë rinia studentore edukohet të jetë garniturë e një procesit demokratik dhe vendimmarrës, fati i saj parashkruhet dhe kështu, përgatiten qytetarë po aq të nënshkruar nesër në jetën e tyre jashtë auditorëve.

Disa protesta studentore për ligjin e arsimit të lartë sidomos në Tiranë mbeten shenja simbolike pozitive, por edh ato vuajnë nga identifikimi ideologjik dhe mungesa e prioriteteve në kërkesa. Vetë shteti i refuzoi studentët dhe imponoi një ligj që ata nuk e deshën. Dhe kur studentët nuk arrijnë të dëgjohen për çështjen e tyre identitare, sa ka shpresë se mund të dëgjohen nëse ata flasin apo duan të flasin për problematika që lidhen me vendin, shoqërinë?! A mund të kemi rini të qetë në auditore dhe në rrugë nëse në vend probleme thelbësore janë korrupsioni politik, fiktiviteti arsimor, fiktiviteti i konkurseve të punësimit, mbipushteti militant i partive, pamundësia për mbijetesë me dinjitet dhe tendenca e braktisjes së vendit? A mund të kemi të ardhme më të mirë nëse bartësit e saj, brezat më të rinj, nuk bëjnë dallime nga brezat më të vjetër dhe nuk rrezikojnë “status quo”-n e tyre për ndryshimin e gjendjes? Brezat e rinj, ata që shihen si më të mirët "ekselentët" i shohim të reshtuar në ceremonitë partiake për të marrë teserën e pushtetit të radhës, duke pranuar humbjen e identitetit për tu bërë pjesë e turmës militante. Ata më të shkathtit janë në ikje ose projekte ikjesh nga vendi, ata më pragmatistët ia dedikojnë suksesin personal nënshkrimit ndaj ofertave të radhës. Ky është një lajm i trishtë dhe një tregues se rinia aktive po imiton modelet negative të politikës. Prej tyre pritet e kundërta, tejkalimi i këtyre modeleve, shpresa për ndryshim dhe për te ardhme! Sondazhet tregojnë se mbi 80% e të rinjve votues votojnë sipas vendimmarrjes së prindërve, pra votojnë me standard minimal pavarësie dhe qenie politike. Edhe ky është një lajm i trishtë, dhe tregues se pa pavarësi gjykimi e votimi mbetet utopike shpresa për një rol revolucionar të brezit të ri.

Ambasadori Lu ka të drejtë. Qytetarët duhet të flasin, sidomos ata që kanë sens përgjegjësie, kanë informacion dhe kanë projekte më cilësore për jetën e tyre. Rinia nuk është thjesht e ardhmja, është edhe e sotmja e një shoqërie. Nëse ajo reagon, nëse studentët reagojnë atëherë shoqëria ka shpresë ndryshimi. Për shumë arsye shoqëria e sotme ka rrezik të mos e ketë këtë shans, por rreziqet prandaj ekzistojnë, që të përballesh me to dhe duke i sfiduar, të hidhen hapa seriozë drejt të ardhmes. Diçka që rinia, sidomos studentët mund e duhet ta bëjnë, çdo orë, çdo ditë, në çdo rast debati e vendimmarrjeje, në zgjedhjet universitare e jeta në komunitet, në testet në shoqëri dhe në zgjedhjet politike. Dita që kjo të ndodh, do jetë edhe dita e parë e një Shqipërie tjetër, shumë më të bukur, më të rinuar, më me shpresë e dinjitet sesa ajo që kemi.

Marrë nga Shekulli